Haradinaj: Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është ripushtim tregtar i Kosovës

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe e atyre boshnjake.

“Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, me këtë vendim Kurti “ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”.

Reagimi i plotë:

Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendosë taksën 100% në pikën 1, dhe poashtu vendosë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6 – të cilat sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si “shpikje politike” e tij.

Në fakt, vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë!

Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.

Harresa e tij kombëtare dhe shkurtpamësia e tij shtetërore ia përcaktoi edhe jetëgjatësinë e tij politike.

Do ta mbajmë në mend përherë si kryeministër që ia çeli derën Serbisë së udhëhequr nga ish-ministri i Millosheviqit, pa nder, dhe pa kundërvlerë.

RH