Haradinaj: Programi qeverisës me LDK-në është në fazën finale të përgatitjes

Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se programi qeverisës me LDK-në dhe partnerët tjetër është pothuajse i përfunduar.

“Për programin flet mandatari, e respektoj këtë privilegj të tij. AAK është kontribuuese në programin qeverisës.

Programi është në fazën finale dhe koha e pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese është shfrytëzuar për avancimin e tij”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk mund të flasë as për numrin e zëvendësministrave që do të jenë në Qeveri dhe ka theksuar se AAK është që formati i Qeverisë së re të mbetet afërsisht i njëjti.

“Është në kompetencën e Avdullah Hotit që të tregojë se sa do të jetë numri i zëvendësministrave.

AAK ka rënë dakord që të ruhet madhësia aktuale e Qeverisë me ndonjë përjashtim të vogël që propozon mandatari”.

Haradinaj ka qëndruar në Gjilan sot për të shënuar përvjetorin e hapjes së degës së parë të AAK-së në vend.