Haradinaj: Roli amerikan në dialog i domosdoshëm për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se subjekti politik që ai e drejton është i vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

Këtë ai e tha me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook ku dha detaje për takimin që pati në selinë e AAK-së me Matthew, Palmer Zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit dhe ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Philip Kosnett.

“Kosova ka treguar maturi në funksionim dhe konsolidim të demokracisë, në standardet më të larta dhe është e palëkundur në raportin bilateral dhe strategjik, si dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Në takim ritheksova se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke”.

“Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO.

Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klankosova.tv.