Haradinaj thotë se do t’i ftojë liderët në takime individuale për unitet rreth dialogut

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin e sotëm me presidentin Hashim Thaçi, ia ka sqaruar atij qëndrimin e vet dhe të AAK-së se “vetëm unikë e të bashkuar në interesin shtetëror, e forcojmë Kosovën përballë Serbisë”.

Përmes një statusi në Facebook, kreu i AAK-së thotë se meqë nuk pati dakordim për një material/qëndrim për çështjen e dialogut me Serbinë, ai do t’i ftojë individualisht për takim të gjithë kryetarët e partive parlamentare të Kosovës për Konferencën e Unitetit për Dialog.

“Meqë as sot nuk u dakorduam për një material/qëndrim, në vazhdën e iniciativës sime të djeshme, do t’u drejtohem me ftesa individuale për takim të gjithë kryetarëve të partive parlamentare të Kosovës, për të filluar përgatitjet rreth Konferencës së Unitetit për Dialog, prej nga do të dalim me qëndrim unik politik, para se të na bëhet vonë.

Etapa e protagonizmave individuale ka marrë fund.

Tani është koha e unitetit e bashkimit rreth Kosovës”, tha Haradinaj në këtë postim.

Ndërkaq, bëri me dije se në takimin me Thaçin ka ritheksuar “bindjen e palëkundur” se nëse Kosova prapë bëhet subjekt në biseda rreth territoreve, e jo palë e barabartë “siç është sot me taksën 100%”, “i gjithë epilogu për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë do të jetë i dështuar”.