Sipas deputetes së Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, Lidhja Demokratike e Kosovës po dëshiron që situata e negociatave mes dy partive për formimin e qeverisë të kthehet në periudhën kur flitej që LDK-së do t’i takonte pozita e kryeparlamentarit.
Në një intervistë në emisionin SOT në KTV, Haxhiu ka thënë se megjithatë zgjedhja e 26 dhjetorit e Glauk Konjufcës të VV-së kryeparlamentar është çështje e pakthyeshme për partinë e saj.
“E dini se qysh një ditë pas zgjedhjeve ka pas insistime të VV-së për të arritur koalicionin me LDK-në.
Edhe përkundër vullnetit tonë, fatkeqësisht s’kemi ende marrëveshje me LDK-në.
Jemi lëshuar fillimisht në aspektin programor dhe kemi arritur të përfshijmë 50 për qind të programit të LDK-së.
Kemi mbyllur të gjitha çështjet në arsim, shëndetësi, drejtësi e prioritete të tjera.
Kur jemi lëshuar në nivelin e ndarjes së përgjegjësive, kemi hasur në rezistencë.
Kemi pasur takime ditëve të fundit. Kemi pasur shumë takime sepse kemi pasur mospajtime.
S’mund të them me garancë se marrëveshja VV-LDK do të ndodhë me siguri sepse s’varet vetëm prej nesh.
Negociatat kanë ngecur te kërkesa e LDK-së për kthim të para datës 26 dhjetor, kthesë e vendimit të deputetëve për kryeparlamentarin që është e papranueshme për ne.
U kemi bërë një ofertë e po presim përgjigjen”, ka thënë ajo.
Burime të Kohës Ditore kanë bërë të ditur se oferta e fundit e VV-së për LDK-në është plus një ministri të cilën do ta zgjidhte vetë kjo parti.
Po ashtu VV-ja është pajtuar që propozimi i kandidatit për president t’i takojë LDK-së.
Kujtojmë se Konjufca ishte zgjedhur kryeparlamentar i Kuvendit edhe me votat e LDK-së, në seancën konstituive të Kuvendit.
Partitë kishin hyrë në këtë seancë pa marrëveshje për bashkëqeverisje./Koha/