Haziri ia bën me dije Kurtit: Nëse shkojnë amerikanët, njerëzit do të ikin pas tankeve të tyre

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, duke folur për zhvillimet e fundit në raport me zbehjen e marrëdhënieve dhe rrezikun nga paralajmërimi që sot shteti ynë mori nga Amerika, thotë se taksa duhet të hiqet në mënyrë që t’i hap rrugë procesit të dialogut.

“Kemi thënë që tarifa duhet të hiqet pa kushte, që t’i hap rrugë procesit që mund të mbyllet shpejtë, dialogu me Serbinë.

Ne momentalisht po ecim me këmbë të thyera, arritja deri në integrim është më i ngadaltë dhe më i vështirë.

Kryeministri Kurti duhet ta largojë frikën nga agjendat e fshehura”, ka thënë Haziri.

Thotë se me largimin e amerikanëve do të ikin edhe qytetarët nga Kosova.

“Në duhet të sillemi të përgjegjshëm për zgjedhjen e problemit tonë.

Qytetarët tanë janë në një panik me të thanë të drejtën.

Unë duke qenë kryetar i Gjilanit edhe gjatë të gjitha takimeve që unë i kam me njerëz, ata vijnë për halla të veta dhe fjala e parë që e thonë është: Mos na prishni me Amerikë, bëni çka të bëni mos na prishni me Amerikë.

Nuk po fol më askush për qeverisjen e shpresës.

Derisa nuk ka qenë kjo situata e re tash njerëzit iu kanë gëzuar themelimit të Qeverisë.

Momentin që u krijua situatë e re, me kërkesa të reja, që qeveria me sjellë vendim të vështirë, njerëzit kanë filluar me thanë bëni çka të bëni me Amerikën mos na prishni sepse pas tankeve të ushtarëve amerikan gjysma e Kosovës, edhe ashtu një pjesë e të rinjve na ka ikë, edhe gjysma tjetër kanë me shku mbrapa ushtrisë.

Nuk ka me pas shansë kush me i ndalë’, tha Haziri në rtv21.

‘Popullit me bo me ja largu prezencën amerikane, përveç ushtarake edhe politike asnjë shqiptar në Kosovë nuk ka me nejt”, theksoi ai.

Haziri tutje ka folur edhe për të dërguarin e LDK’së në Uashington, Skënder Hysenin i cili u takua me emisarin Grenell. Duke thënë se LDK ka kontakte të vazhdueshme me ShBA’të.

“Sot, Skënder Hyseni është në Uashington.

Kemi komunikim me emisarin, po ashtu komunikimi është i përditshëm me autoritetet vendimmarrëse në ShBA.

Jemi të bindur si LDK që një vendim rreth taksës duhet të merret shumë shpejtë dhe kjo çështje mos të kalkulohet me agjenda ditore, por të shihet arsyeja, duhet me hap rrugë që marrëveshja për dialogun me Serbinë të merr formë, e kjo marrëveshje merr formë kur palët ulen në tavolinë”, tha ai.