Derisa vendi ka mbetur pa institucione e takimet e Albin Kurtit e Isa Mustafës s’po jepin ndonjë marrëveshje, në rrjete sociale dhe emisione televizive, vazhdon lufta virtuale mes anëtarëve, aktivistëve e deputetëve nga dy partitë, VV dhe LDK që po synojnë një koalicion.
Së fundmi është Elvis Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë, i cili ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, për të cilin thotë se ai me çdo kusht po kërkon koalicion me PDK-në dhe jo VV-në.
Tutje Hoxha e ka quajtur Mustafën, edhe adoleshent të plakur.
Ky është postimi i plotë i tij:
Isa Mustafa do ta bëjë gjithçka bajat.
Sepse kërkon si duket me çdo kusht koalicion me PDK-në dhe jo me Lëvizjen Vetëvendosje!
Duan presidentin që nuk ka kuptim të kërkohet.
Duan kryeparlamentarin si shkëmbim për presidentin që nuk duhet ta kenë.
Logjika e LDK-së është si e atij tipit që bërtiste ngado se i kishin humbur 10 milionë dollarë.
Kur e pyetën se ku i gjeti tërë ato parà, u përgjigj thjesht:
“Nuk ka rëndësi ku i gjeta, e rëndësishme është që i humba”.
Por të gjithë e dinin të vërtetën, ai nuk e kishte patur kurrë një shumë të tillë.
Dhe të gjithë e dinë mirë se kur nuk ke asgjë mund të thuash se ke humbur miliardat.
Kryesia e LDK-së kërkon të këtë atë që nuk e ka patur kurrë.
Dhe Lëvizja, kësi kryesie ia jep edhe këtë.
Kjo kryesi, si në historinë e tipit që ka humbur milionat që nuk i ka patur, mendon ende se është partia më e madhe që në fakt nuk është, mendon ende se ka kokat më të ditura, tashmë të gjithë në të shkuarën, sepse në të tashmen ka Lutën dhe Agimin.
Pra, mund të kërkojë edhe postin e kryeparlamentarit që vetë e votoi.
Adoleshentë të plakur, apo pleq të kapur nga e rinia e tyre e gabuar?
Kjo nuk është dilema ime, por e atyre që votojnë për ta.