Hoxhallarët tregojnë se si ta urojmë sivjet Bajramin

Festa e Fitër Bajramit është ndër festat më të rëndësishme për myslimanët e cila karakterizohet nga lëmosha e solidarizimi me të varfrit.

Ajo paraprihet nga muaji i Ramazanit në të cilët besimtarët agjërojnë, duke hequr dorë nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime, me qëllim për të vendosur barazinë mes njerëzve.

E karakteristikë e festës së Fitër Bajramit është se njerëzit në ditën kur festohet mblidhen për ta falur në xhami, e më pas edhe i vizitojnë familjet e të afërmve, duke ia uruar me zgjatje dore.

Por të gjitha këto zakone rekomandohet që mos të aplikohen këtë Bajram.

Kjo se për shkak të pandemisë COVID-19 xhamitë janë mbyllur që të shmangen tubimet dhe me shumë gjasë nuk do të hapen as të dielën kur është dita e parë e festës.

Të njëjtën e tha edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava të martën në një takim me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani dhe mikrobiologun Lul Raka.

Myftiu Tërnava, u shpreh se sipas mendimeve të ekspertëve, kushtet nuk janë krijuar ende që të hapen xhamitë në vend dhe një veprim i tillë mund të jetë një kërcënim i madh për shëndetin e besimtarëve.

Por një mundësi të vogël për hapjen e xhamive e lë sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.

Sadriu thotë se gjasat e hapjes së xhamive janë të vogla, por që kjo nuk është definitive.

“Nuk mund të them as po as jo, por sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë”, tha ai për FaktePlus.

Sadriu thotë se primare është shëndeti i besimtarëve, prandaj me shumë gjasë do t’i respektojnë udhëzimet e IKSHP-së.

Sipas tij, zakonet si vizitat në shtëpi tek të afërmit për ta uruar festën dhe zgjatja e duarve janë formalitete që duhet të shmangen në këtë kohë.

“Ne e kemi uru edhe Ramazanin, edhe Natën e Madhe, do ta urojmë edhe Bajramin qysh e kemi praktiku në këtë kohë pandemie.

Do të thotë që do t’iu ikim kontakteve dhe të gjitha atyre formaliteteve.

Ne i kemi respektuar vendimet, edhe vendimi për ceremonitë mortore është ende në fuqi”, tha ai.

I pyetur për faljet e besimtarëve në shesh të cilët e bënë këtë gjest si shenjë proteste për mos hapjen e xhamive, Sadriu nuk pranoi ta komentojë.

Ndërsa profesori i Studimeve Islameve, Xhabir Hamiti, i pyetur nga FaktePlus thotë që Namazi i Fitër Bajramit, që ka karakterit kolektiv, nuk mund të falet në shtëpi dhe pa një imam.

Megjithatë, Hamiti pajtohet se urimi në të cilin besimtarët janë prezent fizikisht është vetëm një formalitet, megjithëse pesha nuk është e njëjtë si në distancë e si në afërsi.

“Nuk është kusht për urimin, qoftë edhe atë fetar, që te dikush të jemi prezent edhe fizikisht, edhe pse asnjëherë pesha nuk është e njëjtë si në distancë dhe ajo e afërt dhe e drejtpërdrejt”, tha Hamiti.

Ndërsa sa i përket faljes në shesh të besimtarëve si shenjë proteste për mos hapjen e xhamive, Hamiti thotë se hapja duhet të bëhet vetëm kur të konsiderohet e arsyeshme nga institucionet.

“Ruajtja e shëndetit për nga prioritetet dhe renditja është para obligimit fetar.

Hapja e vendfaljeve publike dhe kolektive duhet të ndodhë vetëm pas vendimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë”, thotë ai.

Pandemia me të cilën po përballemi si pasojë e përhapjes së Koronavirusit, kësaj here ka ndryshuar edhe traditat shekullore të myslimanëve për Ramazan, pasi xhamitë edhe në Kosovë janë mbyllur dhe janë vënë ndalesa për lutje të disa personave bashkë.

Në fakt që më 14 mars Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) mori vendim që të pezullohej falja e namazeve në xhami.

Po kështu u anuluan përkohësisht edhe mbajtja e ligjëratave, seminareve dhe takimeve të ndryshme.

U rekomandua edhe pezullimi i të gjitha tubimeve me rastin e ngushëllimeve, të pameve, ndërsa ceremonitë e varrimit u rekomandua të organizohen në një rreth sa më të ngushtë familjar.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë me Koronavirus janë infektuar gjithsej 1003 persona, derisa numri i të shëruarve ka arritur në 772, ndërsa janë 29 persona që kanë vde.kur si pasojë e Covid-19.