Web Analytics

Inaugurohet Qendra Shtetërore Trajnuese, moment i rëndësishëm drejt një hapësire më të sigurt kibernetike

Botuar nga: InfoKosova

Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari”, në Prishtinë, u mbajt sot ceremonia e inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

Kryeministri Albin Kurti tha se inaugurimi i Qendrës është moment i rëndësishëm në rrugën që po e ndjek Kosova drejt një hapësire kibernetike më të sigurt.

“Viti i kaluar ka qenë vit i progresit të shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Trajnimet që do të bëhen në këtë Qendër do të adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për sigurinë kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, do të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale, për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.

Po ashtu, ministri Maqedonci falënderoi Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadën e SHBA-së, të cilët mundësuan realizimin e këtij projekti me interes të lartë shtetëror.

Kurrikula për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, që përbën një element thelbësor në zbatimin e Strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike, është hartuar në mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe është implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF) me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar.

Përmes zbatimit të kësaj kurrikule, kjo Qendër përbën një shtyllë të re rëndësishme të mbrojtjes së sigurisë së vendit. /Telegrafi/

Të FUNDIT