Infektologu Krasniqi nuk tregon se a kishte sëmundje shoqëruese shtatzëna që vdiq nga coronavirusi

Infektologu Valbon Krasniqi përmes një deklarimi para medieve ka shpalosur gjendje e pacientëve të shtrirë në Klinikën Infektive duke t treguar se aktualisht janë 8 persona të cilët kanë ardhur nga nata e mbrëmshme e deri sot paradite për t’iu nënshtruar testeve.

Krasniqi ka thënë se ky numër vazhdimisht ndryshon dhe se mund të ketë dhe më shumë prej tyre që po presin të bëjnë analiza se a janë apo jo të prekur me Covid-19.

Ai tutje ka përmendur edhe rastin e pacientes shtatzënë e cila në orët e para të së martës ka ndërruar jetë.

” E ndjera ka ardh në Klinikën Infektive me datën 15 dhe ka qenë në gjendje kritike, dhe vazhdimisht për këto pesë ditë sa ka qëndruar ka qenë në përcjellje të vazhdueshme nga anesteziologu dhe infektologu.

Krahas kësaj kanë qenë në konsultime të vazhdueshme edhe specialistet e gjinekologjisë”, tha Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët se a ka pasur edhe ndonjë sëmundje tjetër shoqëruese e ndjera nga Gjakova, tha se nuk është etike të flitet tashmë për të ndjerën.

“Të kemi respekt dhe ndjeshmëri për rastin.

Nuk mund të themi më tepër për shkak se nuk është e mirë dhe nuk mund të jepen detaje tjera për çfarëdo sëmundje.

Ajo që është fakt se kjo nuk arriti të kaloj këtë sfidë”, theksoi Krasniqi.

Ai ka treguar se çdo pacient që kalon nëpër këtë klinik i nënshtrohet dezinfektimit, dhe se e njëjta ndodh edhe me pacientët që ndërrojnë jetë.

Po ashtu ai bëri të ditur se në vazhdimësi disa herë brenda ditës dezinfektohen hapësirat e klinikës Infektive./IndeksOnline/