Intelektualë e akademikë botërorë solidarizohen me Kurtin dhe popullin e Kosovës

Një grup intelektualësh e akademikësh nga vende të ndryshme të botës, janë solidarizuar me Albin Kurtin dhe popullin e Kosovës, pas mocionit të mosbesimit që bëri që qeveria Kurti të rrëzohej.

Në një letër, të nënshkruar nga 37 persona, në mesin e të cilëve edhe filozofi i njohur slloven, Slavoj Zhizhek, thuhet se Qeveria Kurti shqetësoi interesat e elitave të vjetra, që kanë qeverisur Kosovën për 20 vjet.

“Meqë kjo qeveri kundërshton privatizimin dhe politikat neoliberale sikurse edhe korrupsionin e ngulitur, një aleancë joformale kundër saj u arrit mes gardës së vjetër politike dhe korporatave private lokale”, thuhet mes tjerash në këtë letër, raporton KOHA.

Më tej, intelektualët dhe akademikët thonë se kjo “aleancë e panatyrshme”, gjeti mbështetjen tek Richard Grenelli, i dërguari special i administratës Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo aleancë ‘e panatyrshme’ gjeti për mentor Richard Grenellin, diplomati i pazakontë trumpian, në kërkimin e sukseseve të lehta të politikës së jashtme që mund të krijojnë përfitime shtesë për fushatën e tanishme të Trumpit dhe qëndrimin politik.

Teknikat e famshme të Grenellit për përdredhje të krahut u përdorën për të shtyrë qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje të padrejtë dhe të rrezikshme me Serbinë, e cila përfshin ndryshime në kufijtë e tanishëm dhe në këtë mënyrë shpërnguljet e njerëzve.

Sipas shumë analistëve të Ballkanit, ndryshime të tilla kufitare do të përfshijnë shkëmbime të popullsisë – dhe me të, edhe shumë vuajtje”, thonë intelektualët e akademikët në letrën e tyre në mbështetje të Kurtit dhe popullit të Kosovës.

Më poshtë, ju sjellim të plotë letrën:

Intelektualë dhe akademikë solidarizohen me Albin Kurtin dhe qytetarët e Kosovës në këto kohë të vështira.

Një akt i paprecedent ndodhi javën e kaluar në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Përderisa vendi – sikurse shumë vende tjera – është goditur nga pandemia, qeveria e re e Kosovës, e cila mori pushtetin vetëm në fillim të shkurtit, po e menaxhonte situatën mirë.

Kishte ndërmarrë masa të ashpra parandaluese, përderisa popullatën po e mbante të qetë dhe pa panik.

Përhapja e virusit është mbajtur më efektshëm sesa në vendet fqinje, pjesërisht për fat të fatkeqësisë së izolimit të Kosovës, që aktualisht është vendi i vetëm në Evropë me regjim vizash për zonën Schengen.

Edhe pse qeveria e re gëzon mbështetje thelbësore nga shumica e votuesve (dhe e jo-votuesve), ajo ka shqetësuar interesat e elitave të vjetra, që kanë qeverisur Kosovën për 20 vjet.

Meqë kjo qeveri kundërshton privatizimin dhe politikat neoliberale sikurse edhe korrupsionin e ngulitur, një aleancë joformale kundër saj u arrit mes gardës së vjetër politike dhe korporatave private lokale.

Kjo aleancë “e panatyrshme” gjeti për mentor Richard Grenellin, diplomati i pazakontë trumpian, në kërkimin e sukseseve të lehta të politikës së jashtme që mund të krijojnë përfitime shtesë për fushatën e tanishme të Trumpit dhe qëndrimin politik.

Teknikat e famshme të Grenellit për përdredhje të krahut u përdorën për të shtyrë qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje të padrejtë dhe të rrezikshme me Serbinë, e cila përfshin ndryshime në kufijtë e tanishëm dhe në këtë mënyrë shpërnguljet e njerëzve.

Sipas shumë analistëve të Ballkanit, ndryshime të tilla kufitare do të përfshijnë shkëmbime të popullsisë – dhe me të, edhe shumë vuajtje.

Kjo marrëveshje nuk u pranua nga Albin Kurti, kryeministri i ri majtist i Kosovës.

Por presioni i Grenellit, bashkë me taktikat e Hashim Thaçit, presidenti i gardës së vjetër, rezultuan me prishjen e qeverisë së koalicionit.

Partia konservatore e qendrës së djathtë, LDK-ja, inicioni votën e mosbesimit kundër qeverisë.

LDK-ja ishte partneri më i vogël në qeverinë e re dhe, ndonëse “vlerësuan lart” punën e bërë nga ministrat në parandalimin e pandemisë virale, sikurse edhe për punën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ata thanë se u detyruan ta rrëzojnë qeverinë.

Qeveria u tha se po i rrezikonte aleancat e Kosovës me Perëndimin dhe BE-në.

Siç kanë bërë të ditur shumë politikanë dhe specialistë të Ballkanit nga SHBA-ja dhe BE-ja, kjo s’mund të jetë arsyeja.

Si pasojë, këta politikanë, figura publike dhe specialistë përkrahën publikisht qeverinë e Kurtit, dhe kritikuan taktikat e Grenellit dhe tërë marrëveshjen që ai paraqet (që përfshin shkëmbimin e territoreve).

Megjithatë, mocioni i mosbesimit mori shumicë votash në Parlamentin e Kosovës.

Si rrjedhojë, qeveria Kurti tani është vetëm “qeveri në detyrë”.

Do të jetë në detyrë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja që mund të mbahen pas pandemisë.

Situata në Republikën e Kosovës me pandeminë është nën kontroll dhe e menaxhueshme.

Kosova është një nga vendet që ka ndërmarr masa të hershme në luftimin e përhapjes së virusit, e madje duke shpallur edhe gjendjen e emergjencës për shëndetin publik.

Qeveria, jo vetëm që ka nën kontroll të gjitha shkathtësitë dhe kapacitetet për të ofruar shëndetësi dhe siguri, por i ka zhvilluar ato aq suksesshëm sa që nuk është parë e nevojshme të shpallet ndonjë gjendje tjetër.

Përkundër kësaj, për shkak se Kosova është një prej vendeve më të varfra në Evropë, ajo ende ka nevojë për solidaritet ndërkombëtar dhe mbështetje për t’u ballafaquar me COVID-19.

Me këtë letër ne, intelektualët dhe akademikët e poshtëshënuar, solidarizohemi me qeverinë në detyrë të Albin Kurtit në këto kohë të vështira për të, për popullin e Kosovës, dhe kundër prezencës së gjerë të korrupsionit në politikë.

Të nënshkruarit.

Frank Ruda, ligjërues i lartë i filozofisë në Universitetin e Dundee, Skoci

Gabriel Tupinambá, psikoanalist, anëtar i Rrethit të Studimeve të Idesë dhe Ideologjisë, studiues post doktorature në Departamentin e Filozofisë në UFR

Slavoj Zhizhek, Drejtor Ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Shkenca Humane

Natalia Romé, Profesoreshë dhe Studiuese.

Instituto de Investigaciones Gino Germani, Facultad de Ciencias Sociales.

Vittorio Morfino, profesor i asocuar i Historisë së Filozofisë në Universitetin Milan-Bicocca

Ted Stolze, profesor i filozofisë, Cerritor College, L.A.

Catherine Malabou, Profesoreshë në Qendrën për Studime në Filozofinë Moderne Evropiane në Universitetin Kingston

Nick Nesbitt, Profesor i gjuhëve frënge dhe italiane në Universitetin Princeton

Rodrigo Nunes, profesor i filozofisë moderne dhe bashkëkohore në Universitetin Katolik të Rio de Janeiros (PUC-Rio)
Michael Hardt, profesor i letërsisë, Universiteti Duke

Warren Montag, Profesor i Letërsisë në Kolegjin Occidental në Los Anxhelos

Alenka Zupančič, këshilltare e kërkimeve në Institutin e Filozofisë, Qendra Shkencore Hulumtuese e Akademisë Sllovene të Shkencave

Mladen Dolar, Profesor dhe Studiues i Lartë në Departamentin e Filozofisë, Universiteti i Lubjanës

Riccardo Bellofiore, profesor i Ekonomisë Politike, Universiteti i Bergamos

Ceren Özselçuk, Profesor i Asocuar i Sociologjisë, Universiteti Boğaziçi, Turqi

Robert Pfaller, profesor i filozofisë, Universiteti i Arteve dhe i Dizajnit Industrial, Linz, Austri

Michael Roberts, ekonomist në Britani të Madhe

Saskia Sassen, Universiteti Columbia, New York

Todd McGowan, Profesor i Asocuar i gjuhës angleze në Universitetin e Vermontit

Justin Clemens, Profesor i Asocuar në Universitetin Melbourne, Australi

Sophie Wahnich, historiane, drejtoreshë e hulumtimeve në CNRS, Paris

Eric Alliez, filozof, Universiteti i Parisit 8

Simon Hajdini, Universiteti i Lubjanës

Gregor Moder, Universiteti i Lubjanës

Kohei Saito, profesor i asocuar i ekonomisë politike në Universitetin e Osaka City

Mark De Kesel, Instituti Titus Brandsma, Universiteti Radboud në Nijmegen, Holandë

Adrian Johnston, Profesor i Dalluar dhe Kryetar i Departamentit të Filozofisë, Universiteti i New Mexico

Lidija Šumah, Universiteti i Lubjanës

Nick Srnicek, Kolegji King’s, Londër

Matthew Abbott, Universiteti Federation, Australi

Christian Ingo Lenz Dunker, Profesor i psikologjisë në Institutin Universidade de São Paulo

Laurent de Sutter, Profesor i Teorisë Ligjore, Bruksel

Gavin Walker, Profesor i Asocuar në Universitetin McGill, Historia dhe Studimet Klasike

Bruno Bosteels, Profesor i Studimeve Latine dhe Iberike, Universiteti Columbia

G.M.Tamás, Profesor në Universitetin Qendror Evropian

Sheila Kunkle, Profesoreshë e Asocuar, Universiteti Metroplitan State, Minnesota

Matthew Flisfeder, Profesor i Asocuar i Retorikës dhe Komunikimit, Universiteti Winnipeg