Isa Mustafa: Bulliqi fajtor që nuk e arritëm liberalizimin e vizave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka fajësuar kryetarin e zgjedhur të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për mosliberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Mustafa ka deklaruar se Bulliqi është njëri nga kundërshtuesit kryesor të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si pasojë e mos miratimit të së cilës në Kuvendin e Kosovës më 2015, Kosovës nuk iu hoqën vizat nga BE-ja.

Sipas Mustafës, Bulliqi duke punuar në kundërshtim me qëndrimet e Lidhjes Demokratike, i ka mohuar Kosovës heqjen e vizave,

“Ai ka qenë deputet i yni por ka punuar kundër qëndrimeve tona në lidhje me demarkacionin, e cila kryesisht nga z. Bulliqi kundërshtohej”, ka thënë Mustafa, teksa ka shtuar se me kalimin e kësaj marrëveshje Kosova përfitonte asokohe liberalizimin e vizave.

I pyetur nëse kjo nënkupton se Bulliqi është njëri nga fajtorët për mungesën e liberalizimit të vizave për Kosovën, ai është përgjigjur se “po”./ insajderi