Ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë: Shpejtim Bulliqi më ka kërkuar t’i lejoj mbindërtimet në qytet

Ish-drejtori i Inspeksionit në komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, i cili u shkarkua nga kryetari Bulliqi, ka thënë në emisionin Frontal të T7 se kryetari i Podujevës e ka penguar t’i kryejë punët e tij.

Sipas Mulliqit, kryetari Shpejtim Bulliqi i ka kërkuar që t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit dhe të mos i fillojë rrënimet e ndërtimeve në Orllan.

“Drejtorët e Lëvizjes që janë brenda e bëjnë të pamundurën që me u punu drejt në qeverisjen në Podujevë. Aty është kriju një ambient i pamundur me bë punë, zotëriu në fjalë [Shpejtim Bulliqi] e ka problemin me të gjithë drejtorët vetëm për punën e mirë që janë duke e bë. E them prapë ai më ka pengu me i zhvillu punët sic duhet. I njëjti më ka kërku mos me i fillu rrënimet në Orllan i njëjti më ka kërku me i leju mbindërtimet në zonën e qytetit. S’ka pasë arsyetim thjesht qysh i ka ato shprehjet, lej le t’shkojnë, naj dënim aty këtu”, ka thënë Mulliqi.

Ai ka thënë se s’do ta lejojë që Shpejtim Bulliqi ta shkatërrojë VV-në.

“Nuk do ta lejojë dikë nga jashtë që të vijë dhe ta shkatërrojë VV-në. E kam fjalën për kryetarin Shpejtim Bulliqi absolutisht. Sidoqoftë unë sot po e them edhe njëherë VV është pasuri kombëtare ne aktivistët kemi me u mundu me e ruajt atë vlerë”, tha ai./indeksonline