Ismaili thotë se VV-LDK gënjyen se programin qeverisës e kishin para gjashtë muajsh

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se shkuarja e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit në hotel në Prevallë për të hartuar programin qeveritar, është përpjekje e dështuar për ta improvizuar një program qeverisës, për të cilin siç thotë Ismaili, gënjyen se e kishin që para gjashtë muajsh.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se gjithë këta muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve, partnerët e koalicionit VV-LDK po del se i kanë shpenzuar për pazare për poste e jo për program.

“Vikendi në një hotel në Prevallë i Qeverisë Kurti është përpjekje e dështuar për ta improvizuar një program qeverisës, për të cilin gënjyen se e kishin që para gjashtë muajsh.

Kjo tregon se tërë ata muaj negociatash mes partnerëve – nuk ishin shpenzuar fare për program e parime, por për ndarje postesh e privilegjesh.

Mungesa e programit dhe buxhetit ka paralizuar institucionet e Kosovës, duke shkaktuar ngecje në çdo sektor.

Për fat të keq, përveç kohës që u humb paraprakisht, pasojat e mungesës së planit do të ndjehen nga qytetarët gjatë muajve të ardhshëm”, ka thënë Ismaili.