Ismet Beqiri tërhiqet nga gara zgjedhore

Deputeti nga radhët e Lidhjës Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka bërë të ditur se është tërhequr nga gara zgjedhore.

Beqiri në Facebook, ka shkruar se ka vendosur që të mos jetë pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga dega e LDK-së.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, Anëtar dhe veprimtarë të LDK-së,

Me 14 shkurt do ti kemi zgjedhjet nacionale.Besimi që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës për vite me radhë do të vuloset edhe njëherë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deri më tani kam qenë në listat e LDK-së në 8 palë zgjedhje (2 lokale dhe 6 nacionale).

Në të gjitha këto unë dhe Dega ime kemi dalur fitues.

1 mandat Këshilltar Komunal,1 mandat Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe
6 legjislatura Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kam marrë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar zërin e tyre dhe me gjithë qenien time jam munduar që të bëhem reflektim i punës së mirë, që më është besuar për vite me radhë.

Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm.

Për këtë kam marrë edhe pëlqimin e Degës time, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë.

Si çdo herë do të jem, në krye të Degës që i qëndroi përherë besnik LDK-së, për të dalur fitues edhe nga këto zgjedhje.

Kontributi im si Nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i një prej Degëve më të fuqishme në Kosovë, do të jetë maksimal për suksesin tonë në këto zgjedhje.

Me punë e përkushtim, drejt fitores së radhës.

I falenderoj votuesit e mi besnik që për më shumë se 20 vite më dhanë besimin e tyre, të cilin me punë të ndershme nuk ua kam keqpërdorur asnjëherë.

Dëshmia më e mirë është përkrahja juaj mbi 2 dekada.

Shihemi shpejt edhe në proceset tjera zgjedhore.

Fundi i një rrugëtimi nënkupton fillimin e një rrugëtimi të ri.

Përjetë me LDK-në.I juaji, Ismet Beqiri