Ja me çfarë udhëtonin shqiptarët në vitet 30-të

Transporti automobilistik në Shqipëri vitet ‘20-‘30 të shekullit te kaluar ka qenë tepër i vështirë.

Mjaft të mendosh se dhe sot vende-vende është një tmerr udhëtimi, për të imagjinuar se si ka qenë atëherë, ku njeriu duket sikur ka qenë prej hekuri e jo mishi e gjaaku.

Megjithatë gjatë Luftës së Parë Botërore u konstruktuan një sërë rrugësh për nevojat operative ushtarake të ushtrive të huaja, por që u përdoren më pas edhe për transport civil.

Kjo ndodhi në jug e në veri.

Si shkak i këtij zhvillimi, filluan të ngrihen edhe agjencitë e para të udhëtimit që u përgjigjeshin linjave përkatëse.

Një nga këto linja që po e shoqërojmë dhe me foto kryesore ishte ajo e Ersekë-Jergucat.

Sot ekzistojnë si njëra e si tjetra, por koha është tjetër dhe as që bëhet fjalë që këto dy qendra, njëra qytet e tjetra fshat, të kenë linjë si ahere.

Por kush ka udhëtuar drejt Ersekës nga Përmeti, duhet ta imagjinojë se ç’rrugë ferri duhet të ketë qenë ajo, pasi dhe sot e kësaj dite e tillë mbetet.

Dhe ndër agjencitë më të dëgjuara të kohës sa i përket jugut, ishte ajo që funksiononte në Përmet, e themeluar nga vëllezërit Hotova, e që mbulonte pikërisht këto rrugë.

Mjetet e para të këtij transporti, që ishin kamionë dhe autobuzë kanë ardhur nga SHBA.

Në mjediset e biznesit të tij në Durrës, Lluka Prifti ruan 2 foto që i përkasin një veture dhe autobusi të transportit të mallrave dhe udhëtarëve të asaj periudhe.

Ai flet edhe për zhvillimet që mori kjo agjenci me kalimin e kohës, duke mbuluar me transport një rrjet qytetesh të rëndësishme të asaj periudhe.

Lluka, i cili është pinjoll i njërit prej 5 vëllezërve Hotova, thotë se xhaxhai i madh i tij, Dhimo Hotova ka qenë disa herë në Amerikë.

“Në vitet 1929-1933 kur ishte dhe kriza e madhe ekonomike botërore, ai ndodhej atje. Dhimo ishte shumë punëtor dhe shumë i aftë.

Ai solli nga Amerika disa makineri të pamontuara, vetëm pjesët motorike dhe shasitë.

Makinat e para ishin të markave Shevrolet, Uhad, Indiana.

Ato u shkarkuan në Sarandë dhe prej andej u transportuan në Përmet.

Xhaxhai i vogël, Foti Hotova ishte një mekanik i klasit të parë.

Ai kishte qënë edhe në Egjipt, atje ku kishte marrë zanatin.

Ai i montoi të gjitha pjesët e mjeteve dhe i vuri në punë.

Nga pjesët që erdhën ai ngriti edhe 3 autobusë, me të cilat kryheshin udhëtime nga Përmeti në Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Durrës dhe Korçë”, rrëfen Lluka.

Agjensia sipas tij u themelua në vitin 1934 me qendër në Përmet.

“Gradualisht numri i makinave arriti në 12.

Me këtë fuqi mjetesh motorrike u kontribua edhe për ngritjen e mëvonshme të kazermave ushtarake të qytetit”, thotë pasardhësi i një prej vëllezërve Hotova, atyre që ngritën një ndër agjencitë e para të transportit nën Shqipëri.