Ja pse ky krimb mund të shpëtojë planetin në të ardhmen

Ndotja nga materialet e prodhuara nga polietileni, siç janë qeset dhe të tjera të ngjashme me to, është shndërruar prej vitesh në një problem madhor për mjedisin.

Por këtij problemi mund t’i jetë gjetur zgjidhja dhe krejt rastësisht nga një biologe italiane.

Federica Bertocchini vëzhgoi rastësisht një lloj krimbi që shkatërroi në pak kohë materiale polietileni që në natyrë u duhen të paktën 400 vite që të shkatërrohen.

“Zbulimi i krimit që ha plastikën ndodhi rastësisht. Unë jam e specializuar në biomjekësi dhe kam pasion rritjen e bletëve.

Gjatë dimrit vendos hojet në shtëpi dhe kur i hapa në pranverë vura re që ishin plot me krimba.

Pastrova hojet dhe mora krimbat e i vendosa në një qese.

Pak orë më vonë, pashë që qesja ishte bërë vrima-vrima dhe larvat e krimbave ishin të lira”, thotë ajo.

Këtu biologes italiane i lindi ideja të studiojë këta krimba dhe substancat e përdorura prej tyre për të tretur polietilenin.

Federica dhe një grup shkencëtarësh bashkëpunëtorë të saj shprehen me siguri të madhe se kjo metodë mund të funksionojë dhe të përmirësojë situatën mjedisore.