Jack Ma, njeriu më i pasur i Kinës dhuron 14 mln $ për vaksinën e koronavirusit

Njeriu më i pasur i Kinës ka dhuruar sot 100million juan ($14.4 milionë) në ndihmë të shkencëtarëve që po krijojnë vaksinën për koronavirusin e ri vrasës, epidemia e të cilit ka tronditur superfuqinë aziatike dhe ka vrarë të paktën 133 njerëz.

Jack Ma, themeluesi i konglomeratit të tregtisë online Alibaba, dha njoftimin përmes fondacionit të tij, pas lajmeve për përshkallëzim të epidemisë në qytetin e Vuhan.

40 për qind e fondit, ose 40 milionë juan do të ndahen mes Akademisë kineze të Shkencave dhe Akademisë së Inxhinierisë, ekspërtet e të cilave po punojnë për krijimin e vaksinës.

Pjesa tjetër e grantit do të mbështesë stafin shkencor të stabilimenteve të tjera kërkimore në Kinë dhe vende të tjera të botës, për kontrollin dhe parandalimin e koronavirusit.

Milioneri 55 vjeçar Ma, llogaritet të zotërojë $42.8 miliardë dhe ka qenë më i pasurinë Kinë në 2019 sipas revistës Forbes.

Fondacioni i tij tha se do të ofrojë gjithashtu të gjithë ndihmën e nevojshme teknologjike falas për grupet kërkimore që po punojnë kundër epidemisë.

Zhvillimi vjen pasi Alibaba kishte deklaruar ndihmë prej 144 milionë dollarë për blerjen e pajisjeve mjekësore të spitaleve në provincat Vuhan dhe Hubei.