Web Analytics
BallinaJetësimi i linjës ajrore Prishtinë – Beograd

Jetësimi i linjës ajrore Prishtinë – Beograd

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas, Kosova dhe Serbia presin që së shpejti kjo marrëveshje të jetësohet edhe në praktikë.

Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin.

Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.

Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë.

Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Agjencisë se Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shpreson se shumë shpejtë do të funksionalizohet kjo linjë, ndonëse rikujton se për jetësimin e saj, kanë mbetur edhe disa procedura teknike.

Ai thotë se Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Pasagjerët kanë të drejtën edhe mundësinë që të zgjedhin destinime të ndryshme përmes aeroporteve të ndryshme.

Sigurisht që edhe kjo duhet të jetë një ndër opsionet dhe mundësitë që nëpërmes Aeroportit të Beogradit të fluturohet edhe në destinacione sipas nevojës dhe kërkesës së pasagjerëve.

Apo edhe anasjelltas përmes linjave tjera të Beogradit për të ardhur në Kosovë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme familjare, biznesore dhe çfarëdo që janë ato”, thotë Nuredini.

Fluturimet ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë në vitin 1999.

Atë kohë, Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që si synim kishin mbrojtjen e popullatës civile dhe dëbimin e forcave serbe, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.

Në lidhje me marrëveshjen e arritur, me të cilën synohet të rihapen fluturimet direkte, Nuredini thotë se fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas do të realizohen në rrugët e vjetra ajrore, përkatësisht ato që janë shfrytëzuar para vitit 1999.

Kompania ajrore “Lufthansa” do të operojë në këtë linjë.

Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit.

Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.

Qytetarët në Kosovë japin mendime të ndryshme lidhur më sigurinë dhe mundësinë e fluturimeve nga Prishtina në drejtim të Beogradit.

Safet Beqiri, shprehet se në rast nevoje për udhëtim në Beograd ose ndonjë shtet tjetër, kjo linjë do t’i shkurtonte kohën e fluturimit.

“Linja ajrore në mes Prishtinës dhe Beogradit është e mirë.

Unë nëse kam nevojë të shkoj në Beograd normal se e shfrytëzoj linjën ajrore.

Më shumë e preferoj linjën ajrore sesa udhëtimin me veturë”, thotë ai.

Edhe Dejan Paviqeviq nga pjesa veriore e Kosovës, thotë se me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, më lehtë mund të udhëtohet për në Beograd

“Më pëlqen vendimi sepse tash mundem më shpejtë të vijë nga Beogradi për në Mitrovicë.

Është më lehtë të shkohet edhe në Prishtinë (Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës) me taksi apo autobus.

Shkurtohet numri i orëve të udhëtimit.

Mua nuk me intereson ana politike, por vetëm gjërat më praktike”, thotë Paviqeviq.

Por, ka edhe qytetarë, si Zepa Elshani, që nuk e preferojnë këtë linjë për të udhëtuar.

“Jo nuk më pëlqen kjo linjë dhe nuk do ta përdori asnjëherë Aeroportin e Beogradit”, thekson ajo.

Kurse Fehmi Kurshumlija, nga komuniteti boshnjak që jeton në komunën e Mitrovicës Veriore, e konsideron marrëveshje të qëlluar.

“Nuk është ide e keqe, pse jo, le të lirohen njërëzit dhe të udhëtojnë të lirë”, thotë ai.

Rrjetet Sociale

630,821FansaPëlqeje
28,187NdjekësitNdjek
1,002NdjekësitNdjek

Të Fundit