Ka shumë pak gjasa që fëmijët ta transmetojnë koronavirusin

Në një studim të ri, të kryer nga Qendra Shëndetësore për Kërkime të Imunizimit në rajonin New South Wales të Australisë, thuhet se fëmijët kanë pak gjasa ta transmetojnë sëmundjen Covid-19 te njëri-tjetri ose te të rriturit.

Gjatë studimit u hulumtua transmetimi i virusit në shkollat dhe qendrat e kujdesit të këtij rajoni nga marsi deri në mesin e prillit.

Duke e hulumtuar përhapjen e 18 rasteve të koronavirusit (nëntë nxënës dhe nëntë pjesëtarë të stafit) nga 15 shkolla, në gjetjet preliminare të raportit tuhet se vetëm një nxënës i shkollës fillore dhe një nxënës i shkollës së mesme mund të jenë infektuar me Covid-19 nga rastet fillestare në shkollat e tyre.

“Asnjë mësues apo pjesëtar i stafit nuk u infektuar me Covid-19 nga asnjëri rast fillestar në shkolla”, thuhet në këtë raport.

Kjo shkallë e ulët e transmetimit të virusit u shënua pavarësisht faktit që 735 nxënës dhe 128 anëtarë të stafit të shkollave ishin kontakte të ngushta të 18 rasteve fillestare.

Studimi që pritet të vlerësohet së shpejti nga hulumtuesit e tjerë, thotë se njoftimi i qeverisë së rajonit New South Wales më 23 maj për t’i nxitur prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë mund të ketë ndikuar në rezultatin e këtij hulumtimi.

“Gjetjet nga ky hulumtim i hollësishëm janë preliminare.

Megjithatë, ato sugjerojnë se përhapja e Covid-19 brenda shkollave të këtij rajoni ka qenë shumë e kufizuar”, thuhet në raport.

Qeveria rajonale në New South Wales tha se ndonëse nxënësit e përbëjnë rreth 16 për qind të popullsisë së përgjithshme, vetëm 1.7 për qind e rasteve me Covid-19 janë regjistruar brenda kësaj grupmoshe.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, në kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të sindikatave të mësuesve kundër rihapjes së shkollave, tha për “Sky News” se rre.ziku që mësuesit të infektohen është në sallën e arsimtarëve e jo në klasë.