Kadri Veseli i shqetësuar me vdekjen parë në Kosovë nga Koronavirusi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është shprehur i shqetësuar me vdekjen e personit të parë në Kosovë nga koronavirusi.

Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, u ka shprehur familjarëve të 82 vjeçarit, ngushëllimet me të sinqerta, teksa shpreson që ky është rasti i fundit që ka vdekje nga Covid-19.

Më poshtë statusi i plotë i Veselit:

I shqetësuar dhe i prekur thellë nga vdekja e parë e shënuar nga Covid19 në Kosovë, përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Haliti, nga Dumnica e Podujevës, për humbjen e të afërmit të tyre.

Me shpresën që ky rast të jetë edhe i fundit në vendin tonë, dhe të ngritet vetëdija për më shumë kujdes e shmangie të kontakteve e daljeve të panevojshme, bëj thirrje edhe një herë për institucionet tona që të kenë fokusin tek pandemia që po rrezikon gjithë botën.

Ky problem dhe asnjë tjetër duhet të jetë preokupimi ynë.

Të bashkuar dhe me punën e shkëlqyer e të palodhshme të mjekëve e infermierëve tanë, do t’ia dalim. /Insajderi.com