Kadri Veseli kërkon miratimin e Pakos Ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot Komunat e Prizrenit, Rahovecit e Suharekës në aktivitete të ndryshme, për të takuar fermerët e ndërmarrësit privat që po ballafaqohen me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia covid-19.

Veseli takoi në Krushë të Madhe, fermerët Muharrem Hoti dhe Imer Duraku, të cilët së bashku thanë se kanë mbjellë 20 hektarë kultura të ndryshme bujqësore.

Në njoftimin e PDK-s, thuhet se ata e falënderuan kryetarin e PDK-së për angazhimin e vazhdueshëm për t’i përkrahur, ndërsa shprehën shqetësime se në këtë kohë pandemie nuk janë vizituar e ndihmuar nga qeveria, derisa kanë frikë se do të kenë probleme serioze me kreditë bankare që i kanë marrë për investimet që i kanë bërë.

“Po shpresojmë që do të na ndihmon shteti najsen se na kanë harru krejt në këtë kohë pandemie.

Na edhe me shpëtu nga virusi, kemi me vdekë prej bankave nëse nuk ndihmohemi”, tha Hoti.

Kreu i PDK-së u zotua se ai do të vazhdojë të angazhohet dhe të bëjë thirrje klasës politike që t’i lënë inatet anash e të merren me problemet reale të qytetarëve në këtë kohë pandemie.

“Ajo çfarë duhet të bëjmë ne si institucione është të jemi afër tyre.

Muharremi e tha shumë mirë, mos me na mbyt pandemia, na mbysin bankat.

Do të thotë për këtë po flasim, për Pakon e rimëkëmbjes që sa më shpejt duhet të forcojmë kërkesën e tregut.

Duhet ta vëmë në qarkullim paranë, në mënyrë që edhe fermerët, edhe ndërmarrësit dhe punonjësit kudo që janë të rigjenerojnë të ardhura.

Në mënyrë që edhe bankat të kenë mundësi t’u ndihmojnë fermerët si Muharremi e Imeri.

Jemi duke u vonuar, qeveria jonë po vonohet për arsye se është dashur sa më shpejt, po kalojnë javë pa bërë asgjë me ju ndihmu këtyre njerëzve.

Çdo ditë për këta, çdo minutë është me rëndësi”.

Ai tha se PDK po kërkon me ngulm që sa më parë të miratohet pakoja e rimëkëmbjes ekonomike prej 320 milionë euro.

“Është e paevitueshme që të kalojë pakoja e rimëkëmbjes kombëtare.

Është duke na marrë kohë kjo çështja e politizimit të tepruar të luftës për pushtet që po zhvillohet.

Ne presim që kryetarja e Kuvendit ta vërë në Kryesi, ta procedojë, sepse ajo është në procedim në Kuvend të Kosovës.

Nuk e patëm vullnetin politik që ta kalojmë për një ditë, por e kemi mundësinë që shumë shpejt, për një ditë ta kalojmë këtë pako financiare, e cila është e domosdoshme”, u shpreh Veseli.

Veseli, po ashtu vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës në Prizren nga ku uroi të gjithë qytetarët e Prizrenit për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Më pas, Veseli bëri homazhe tek shtatorja e veprimtarit të shquar Fadil Vata në Suharekë.

Ai po ashtu takoi disa ndërmarrës furrtarë të cilët i falënderoi për punën e pakursyer në shërbim të qytetarëve në këtë kohë pandemie.