Këtë 8 mars, dhuratën më të bukur bëja vetes! Ç’duhet të dish për eventin dedikuar vajzave e grave shqiptare

Një ditë e keqkuptuar ndër vite, 8 marsi në Shqipëri më në fund po merr trajtën që i takon.

Dita Ndërkombëtare e Gruas, që në vendin tonë për vite me radhë është ngatërruar më shumë me Ditën e Nënës, së fundmi ka nisur të jehojë atë që kjo ditë ka realisht në thelb: të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe progresin e grave në fusha të ndryshme të jetës.

Pikërisht kjo është dhe dhe arsyeja që ka nxitur blogeren dhe shkrimtaren Desantila Vatnikaj të bëjë sërish bashkë gratë shqiptare, për t’u dhënë atyre zë.

Pas suksesit të vjetshëm të fushatës ndërgjegjësuese “Dhuro një buzëkuq”, Vatnikaj vjen këtë 8 mars me një tjetër aktivitet, i cili do të kalojë kufijtë territorialë, për të nisur kështu një traditë të vërtetë, dedikuar enkas grave e vajzave shqiptare.

“Flas n’8 mars” titullohet eventi që do të mbahet në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në sallën “Consortium” në hotel “Tirana International”, ku 5 gra të suksesshme shqiptare, do të rrëfejnë për të pranishmit eksperiencat e tyre, arritjet në sferën sociale, ekonomike e kulturore si dhe sfidat që u është dashur të kalojnë për të mbërritur aty ku janë sot.

Nisma e ideuar nga Desantila Vatnikaj, që nisi fillimisht si një fushatë e vogël ndërgjegjësuese, ditë pas dite po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Me qëllimin kryesor për të frymëzuar gratë e vajzat shqiptare, por edhe të adresuar gjithë sfidat e vështirësitë me të cilat ato përballen, “Flas n’8 mars” do të mbahet paralelisht në Kosovë e Maqedoni, nga bashkëpunëtoret e Vatnikaj të cilat ndajnë të njëjtin vizion me të.

Në faqen në Instagram dedikuar aktivitetit që po ngjall gjithnjë e më tepër interes, gra e vajza ftohen për t’u bërë pjesë e eventit në të cilin, duke i qëndruar besnikë tematikës së vjetshme “Dhuro një buzëkuq”, secilës prej pjesëmarrëseve do t’i jepet një buzëkuq i kuq, simbol i feminilitetit por edhe i forcës së gruas.

Por kjo sigurisht është vetëm një parantezë e eventit të shumëpritur, pasi surprizat e vërtetë, do të zbulohen së shpejti, ndaj ndiqni “Flas n’8 mars” në Instagram për të mos humbur asgjë.

Këtë 8 mars bëji vetes dhe grave e vajzave më të rëndësishme në jetën tënde dhuratën më të bukur: atë të motivimit!