Kompanitë në Kosovë mjaftueshëm të furnizuara me artikuj bazikë

Kompanitë tregtare në Kosovë thonë të jenë të përgatitura dhe të furnizuara mjaftueshëm për të mos munguar në treg produktet bazike, pas gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit të ri.

Që nga masat e para të qeverisë dhe sidomos pas paraqitjes së rasteve të para me Covid-19, qytetarët kanë reaguar duke u furnizuar me ushqime, barna dhe gjëra tjera bazike, në rast se do t’iu duhet të izolohen nëpër shtëpitë e tyre, siç ka ndodhur në shumë vende.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se sa i përket furnizimit me produkte nuk ka shqetësim se mund të ketë mungesë.

Bizneset, thotë ai, janë të përgatitura.

“Një gjë që duhet siguruar qytetarët është që për artikujt bazikë ka stoqe të mjaftueshme dhe mallra të mjaftueshme edhe në treg dhe nuk ka nevojë të krijohet panik apo blerje e tepruar.

Pjesa më e madhe e kompanive këto ditë janë furnizuar më stoqe ekzistuese që planifikohen për kohë më të gjatë”, thotë Rukiqi.

Rukiqi shton se para se Qeveria e Kosovës të marrë masa parandaluese, bizneset tregtare kanë bërë importe shtesë për disa artikuj të caktuar.

“Nuk po shoh ndonjë problem ende, së paku nuk pritet një gjë e tillë, vetëm në variantin nëse kjo zgjatë më gjatë se katër muaj ku pastaj duhet të shihen situata të reja.

Por, në këtë situatë që është tani, me këtë nivel të shpërndarjes së virusit në botë, nuk shoh që do të ketë problem të furnizimit”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës tanimë ka marrë masa parandaluese si dhe ka marrë vendim që të pezullojë përkohësisht linjat ajrore dhe tokësore.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë ditëve të fundit ka pasur një ngritje të lehtë të importeve të disa produkteve, por jo në masë të madhe.

“Nuk mund të themi që ka rritje shumë të madhe të importit. Kemi parë rritje te disa produkte siç është mielli, por nuk është e lartë”, thotë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë ka siguruar qytetarët se nuk do të ketë mungesë të mallrave dhe se kufijtë nuk do të mbyllen për mallrat, por për udhëtarët.

“Mallrat edhe me tutje do të hyjnë në Kosovë për shkak ne varemi nga importi”, thotë ai.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve në Kosovë, Muhamet Selmani, ka thënë se prodhuesit e miellit kanë grurë të mjaftueshëm dhe se nuk do të mungojë ky produkt.

“Prodhuesit e mielli që janë mbi 30, janë shumë aktivë duke prodhuar miell.

Nuk është problemi se nuk ka sasi të grurit, por problem më i madh qëndron të koha për ta shndërruar grurin në miell për arsye se kapacitet e tyre janë të limituara, ata nuk kanë kapacitete sepse fluksi është shumë i madh.

Sasi të miellit ka mjaftueshëm për këto ditë dhe fabrikat e miellit do të jenë në gatishmëri të plotë për të furnizuar qytetarët”, ka thënë ai.

Ndërkohë, pas reagimeve në rrjetet sociale dhe media se ka pasur shtrenjtim të çmimeve të produkteve ushqimore, Ministri i Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se në të gjitha rastet ku inspektorët e Administratës Tatimore shohin parregullsi do të autorizohen të mbyllin ato biznese.

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë këtyre ditëve ka trajtuar mbi 500 raste nga gjithsejtë 1,809 thirrjeve të pranuara nga qytetarët për rritje të çmimeve nga biznese.

Në një komunikatë për media, ATK ka bërë të ditur se një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë rritur çmimet e produkteve bazike si dhe atyre farmaceutike, andaj ATK në bashkëpunim me organet kompetente, ka thënë se do të ndërmarrë veprime ligjore.

Personat fizikë dhe juridikë të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet e marra nga Qeveria e Kosovës do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Coronavirusi i ri përcillet me temperaturë, koll të thatë dhe probleme me frymëmarrje. Ai për herë të parë është raportuar të jetë shfaqur në Kinë. /REL/