Konjufca: Me Vuçiqin tani do të mund të takohej vetëm një kryeministër i papërgjegjshëm

Duke e cilësuar si veprim të mirë kthimin e presidentit Hashim Thaçi nga rruga për në Washington për takimin me Serbinë, pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale, anëtari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se veprim të njëjtë duhet të ndërmarrë edhe kryeministri Avdullah Hoti.

Sipas tij, tash me presidentin e Serbisë mund të takohet vetëm një kryeministër i papërgjegjshëm.

“Ne kemi menduar se edhe pa aktakuzë, fakti që Thaçi t’i prijë dialogut me Serbinë është i dëmshëm për Kosovën.

Lëre më tash me aktakuzë.

Çështja ndërlikohet edhe më shumë për arsye se tash këtu zoti Thaçi hyn në kategorinë e të gjysmëakuzuarit deri tash.

Veprim i mirë i tij (Thaçit) kthimi nga Washingtoni.

Jo që do të ishte e ndërlikuar për Kosovën, por edhe për Shtëpinë e Bardhë që të shkonte një person të cilit i është deponuar një aktakuzë e tillë”, ka thënë Konjufca në Deskun e Kohës.

Ai ka thënë se ky është zhvillim serioz në skenën politike, që dëmton vendin.

“Nuk e di si shkon edhe zoti Hoti.

Një zhvillim i ri serioz në skenën politike që pikë së pari dëmton Kosovën.

Duhet të reagojmë në këtë pretendim.

Ata s’do të thirren si personalitete por në cilësinë e ushtarit të UÇK-së.

Kjo e dëmton Kosovën, sepse shënjestër është UÇK-ja.

Qeveria s’mund t’i mbyllë sytë e të thotë se s’ishte asgjë, ne shkojmë e bëjmë marrëveshje me Vuçiqin.

Është denigurese edhe duke marrë parasysh se ka informacione që prej atyre që do të jenë aktakuza e me të cilat janë marrë ato pretendime ka kontribuar Serbia”.

“Ajo ka kontribuar me kinse prova të dorëzuara kundër UÇK-së.

Duke pas parasysh këtë, dhe të takohesh me Vuçiqin në këto momente është e vështirë.

Do ta bënte vetëm një kryeministër i papërgjegjshëm”, ka thënë Konjufca.