Koronavirusi: Vetëm këta persona tash e tutje kanë të drejtë të marrin pjesë në varrim

Qeveria e Kosovës ka publikuar vendimin që ka marrë para dy ditësh ku ndalon lëvizjen e qytetarëve në orare të caktuara, dhe ndalime të tjera për parandalim të përhapjes së koronavirusit.

Me këtë ndalim janë ndaluar edhe ceremonitë e varrimeve.

Me pikën 4 të vendimit, qeveria ndër të tjera, ka ndaluar tubim të njerëzve në ceremonitë mortore.

Aty thuhet se në varrime kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm familjarët e ngushtë të të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit.

“Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët.

Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”, thuhet në pikën 4 të vendimit të qeverisë Kurti, vendim i cili u cilësua si antikushtetues nga presidenti Hashim Thaçi.

Ky vendim i qeverisë ua ndalon qytetarëve edhe lëvizjen në rrugë, nga oraret 10:00-16:00 dhe 20:00 – 06:00.