Kosova do të duhet të investojë rreth 2.8 miliardë dollarë amerikanë (me vlerë dollari të vitit 2020, pa zbritje) gjatë dekadës së ardhshme për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës nga ndikimet e dëmshme dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.
Kjo paketë fillestare gjithëpërfshirëse e investimeve përshtatëse do të kishte kosto të barasvlershme me rreth 0.6–0.9 për qind të BPV-së në vit deri në vitin 2050. Investimet për përshtatje do të siguronin një ‘Dividend nga Vlerësimi AAA’ me tre lloje të përfitimeve: humbje të shmangura, potencial ekonomik të përshpejtuar, dhe përfitime shoqërore dhe mjedisore të amplifikuara.
Raporti i Bankës Botërore për Kosovën nënvizon se politikat e Kosovës për ndryshimet klimatike janë, pjesërisht, të formësuara nga shtytësit e ndryshëm të jashtëm dhe zotimet ndërkombëtare; në aspektin e brendshëm, Kosova duhet të bëjë më shumë përparim, jo vetëm duke intensifikuar ambiciet e veta klimatike, por duke forcuar kapacitetin e vet për t’i realizuar këto ambicie.
Edhe pse nuk është palë as në Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) dhe as në Marrëveshjen e Parisit, Kosova ka vendosur zotime kombëtare vullnetore të barasvlershme. Këto zotime janë të rëndësishme për përballimin e sfidave që sjellin ndryshimet klimatike dhe për krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për të ardhmen.
“Veç kësaj, si palë kontraktuese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova i është përkushtuar harmonizimit të legjislacionit të vet për energjinë dhe klimën me acquis të Bashkimit Evropian (BE), duke kontribuar kështu në synimin që Evropa të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.
Ligji për Ndryshime Klimatike, i miratuar në dhjetor 2023, është bazë legjislative për planifikimin dhe ngritjen e institucioneve për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë, maturiteti institucional për zbatimin e politikave klimatike në Kosovë sapo ka filluar të krijohet, duke u klasifikuar si “në lindje e sipër” nga Vlerësimi Institucional për Ndryshimet Klimatike i Bankës Botërore.
Puna e konsiderueshme po bëhet për të forcuar kapacitetet institucionale të vendit, por këto kanë ende shumë rrugë për të bërë që të vlerësohen si të maturuara. Sipas Bankës Botërore, kapitali njerëzor i vendit gjithashtu duhet të zhvillohet në mënyrë substanciale për të siguruar që Kosova të jetë gati për tranzicionin e gjelbër, vlerësimi sugjeron se më shumë se 40 për qind e potencialit të kapitalit njerëzor të vendit është aktualisht i pashfrytëzuar.
Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të BP6, popullata e Kosovës në moshë pune po rritet. Kjo krijon një mundësi për rritjen ekonomike, por vetëm nëse planifikimi afatgjatë do të fokusohet në përmirësimin e rezultateve të arsimimit dhe aftësimit. Kjo do të jetë me rëndësi jetike për të ofruar popullatës relativisht të re të vendit shanset më të mira për t’u bërë shumë produktive.
Si shtet pa dalje në det në Evropën Juglindore, në qendër të Gadishullit të Ballkanit, Kosova është e cenueshme nga risqet klimatike. Vendi është shpesh i ekspozuar ndaj zjarreve në pyje, vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dherave. Aktualisht, 36.8 për qind e sipërfaqes totale të Kosovës është nën risk mesatar nga zjarret dhe 15.8 për qind nën risk të lartë nga zjarret. Këto rreziqe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe ekonominë e vendit.
Raporti thekson se vërshimet e rënda që ndodhën në vitet 2013, 2014 dhe 2016, rezultuan në dëme totale të vlerësuara prej më shumë se 4 milionë euro. Kjo është një paralajmërim se nëse nuk merren masa të shpejta dhe efektive për të parandaluar këto ngjarje ekstreme, kostot për shoqërinë dhe ekonominë do të vazhdojnë të rriten në mënyrë dramatike.
“Kosova është gjithashtu e prirë ndaj thatësirave, tërmeteve dhe valëve të të nxehtit. Ngjarjet ekstreme klimatike shpesh shkaktojnë dëme të rënda në infrastrukturën kritike, duke çuar në riskun e efekteve kaskadë dhe duke përkeqësuar cenueshmëritë e sektorëve kyç ekonomikë, veçanërisht të bujqësisë, pylltarisë dhe ujit.
Efektet klimatike janë të lokalizuara dhe i përkeqësojnë cenueshmëritë ekzistuese socio-ekonomike. Komunitetet e cenueshme dhe zonat urbane të reja janë më të ekspozuara ndaj vërshimeve, duke kërkuar veprime urgjente për të përmirësuar strukturat e mbrojtjes dhe për të ndihmuar në përshtatjen ndaj këtyre rreziqeve.
Sipas skenarëve të ndryshimeve klimatike, Kosova mund të përballet me dëme të mëdha ekonomike deri në vitin 2050. Vlerësohet se nëse nuk bëhen investime për përshtatje në klimë, do të ketë rënie të konsiderueshme të prodhimit si rezultat i rreziqeve natyrore. Afërsisht 5.1 për qind e BPV-së mund të humbet në skenarin më skeptik, i cili është një tregues alarmant për të gjithë vendin.
Në përmbledhjen e këtij raporti, theksohet se burimet dhe ekspertiza e kufizuar, të shoqëruara me shkëputjen ndërmjet autoriteteve kombëtare dhe lokale, bëhen pengesë për aftësitë e Kosovës për menaxhim të fatkeqësive. Kjo kërkon më shumë investime për të përmirësuar koordinimin, ngritjen e kapaciteteve dhe për rritjen e angazhimit të komunitetit. Duhet të bëhet e qartë se kostot e investimeve për përshtatje janë padyshim të larta, por kostot e mosveprimit janë edhe më të larta, siç janë edhe përfitimet e veprimit.