Kosova përmbushi kushtet për liberalizim, por disa shtete të BE-së nuk janë në favor të kësaj

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mandl ka shtuar se është i gëzuar që njerëzit e Kosovës janë pro-evropianë, por ka thënë se një numër i vogël i shteteve të BE-së nuk janë në favor, ani pse sipas tij Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim.

“Absolutisht.

Do të thoja se është për keqardhje që ky është një premtim të cilin Bashkimi Evropian nuk e ka mbajtur ende.

Çdo ditë më vjen keq për këtë, dhe prandaj angazhohem për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën aq sa mundem.

Në fakt, edhe Komisioni Evropian e ka përkrahur liberalizimnin, bashkë me Parlamentin Evropian, por ka një numër të vogël të shteteve të BE-së që nuk janë në favor, dhe ne duhet t’i bindim ata se procedurat janë mbyllur dhe se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin”, tha ai në Kanal10.

Mandl shtoi se duhet t’i bindim edhe me informata të vërteta sa i përket shoqërisë, reformave, bashkëpunimit të mirë në disa fusha me vendet anëtare të BE-së.

“Duhet t’i bindim dhe për atë se ky është një vendim që shkon në favor të sigurisë së përgjithshme të BE-së, sepse sa më shumë që e shtyjmë këtë vendim shkaktojmë më shumë probleme.

Siç e dimë qytetarët e Kosovës janë shumë pro-evropianë, e ndjejnë identitetin evropian dhe kjo është pozitive për BE-në, për vlerat e saj, për sundimin e ligjit dhe për demokracinë.

Nëse BE-ja mbetet mbrapa për liberalizimnin e vizave dhe të tjera premtime, BE-ja nuk do të bëhet më e fortë, por do të dobësohet, dhe pjesë të botës që nuk ndajnë vlerat e njëjta me Evropën dhe duan konflikt këtu, do të fitojnë territor në Ballkan dhe këtë duhet ta shmangim”, tha ndër të tjera ai.