Kosova, shembull i mirë i menaxhim të suksesshëm të pandemisë në botë

Koronavirusi dhe menaxhimi i situatës përballë kësaj pandemie vdekjeprurëse, ka qenë temë qendrore e diskutimit edhe në Parlamentin e Federatës australiane, e po ashtu edhe në shumë vende evropiane.

Opozita në Australi dje, gjatë diskutimit në Parlament, ka përmendur Kosovën si shembull i shkëlqyeshëm në menaxhimin e situatës përballë pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, i quajtur COVID-19.

Sipas opozitës australiane, Kosova, edhe pse një vend i vogël në Evropën e gllabëruar dhe paralizuar nga pandemia, po ia del me sukses që ta parandalojë përhapjen e virusit në shkallë të gjerë.

Opozita ka theksuar se në këtë menaxhim rol të madh paskësh luajtur karantinimi i pjesshëm i lokacioneve ku ka të prekur nga virusi COVID-19, si dhe oraret e lëvizjeve, civile dhe zyrtare, të koordinuara mirë nga Qeveria.

Gjithashtu opozita australiane paska bërë thirrje që Kosova dhe shëndetësia e saj duhet të merret si shembull për t’u ndjekur edhe në Australi, pikërisht për faktin se në këtë shtet të vogël ka shumë pak të prekur, edhe pse Kosova gjeografikisht shtrihet në epiqendrën e epidemisë – Evropë, shkruan ekonomiaonline.

Të kujtojmë se në Federatën e Australisë numri i të infektuarëve ka kaluar shifrën 800, ndërkaq janë shënuar 20 raste te vdekjeve nga COVID-19, pavarësisht se buxheti shtetëror i ndarë për luftimin e kësaj sëmundjeje kap shumën e mbi 168 miliardë dollarëve australianë.

Ndërkaq ky shtet-kontinent, që është i rrethuar nga Oqeani Indian dhe ai Paqësor, konsiderohet se deri më tani ka menaxhuar mirë me situatën, mirëpo këtë të shtunë është shënuar një numër rekord i të diagnostikuarve me koronavirus, 120 vetë të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, gjë e cila ka nxitur debat të nxehtë, me ç’rast Kosova është marrë si shembull i mirë menaxhimi që duhet ndjekur.

Gjithashtu edhe vendet evropiane janë të habitura për menaxhimin e shpejtë dhe masat e marra nga shteti i Kosovës. Duhet theksuar se deri më tani janë prekur vetm 93 persona me koronavirus në Kosovë.