Në Kosovë, një numër i madh i qytetarëve ka nisur një iniciativë për bojkotimin e marketeve si pasojë e çmimeve të larta që kanë goditur buxhetet e familjeve.
Bojkotimi ndaj marketeve është planifikuar të ndodhë me datën 10 shkurt dhe të zgjasë tërë ditën. Ky veprim do të jetë një shenjë proteste ndaj rritjes së shpejtë dhe të paarsyeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre bazike, të cilat janë bërë të papërballueshme për shumë kosovarë, transmeton Telegrafi.
Iniciativa për bojkot ka gjeneruar një valë solidariteti në mesin e qytetarëve, ku tashmë janë mbledhur rreth tre mijë anëtarë në grupin “KOSOVA BOJKOTON”. Ky grup është hapur për të gjithë dhe shërben si një platformë për të ndarë shqetësimet dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi çmimet e larta të produkteve ushqimore.
Në këtë grup janë shpërndarë fotografi të shumta që ilustrojnë çmimet e larta të produkteve ushqimore në tregun kosovar, duke e bërë të qartë se ndjeshëm nuk përputhen me standardet e çmimeve në vendet evropiane. Këto krahasime kanë ngjallur reagime të shumta dhe janë bërë një temë e nxehtë diskutimi.
Administratorët e grupit deklarojnë se synimi i tyre është të ndërgjegjësojnë konsumatorët për çmimet në treg dhe të nxisin një debat të hapur mbi këtë çështje. Ata besojnë se transparenca dhe informimi janë thelbësore për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të ndikuar pozitivisht në politikat tregtare.
“Nuk kemi asnjë synim të dëmtojmë ekonominë e marketeve, pasi ato janë pjesë e rëndësishme e ekonomisë sonë, paguajnë taksa dhe punësojnë mijëra qytetarë. Prandaj, aktivitetet e grupit tonë synojnë ndërgjegjësimin dhe jo dëmtimin e bizneseve apo krijimin e pengesave për operimin e tyre,” theksojnë administratorët.
Bojkoti njëditor është menduar si një mjet simbolik që synon të tërheqë vëmendjen e publikut dhe institucioneve përkatëse mbi çështjet e çmimeve të larta. “Përmes këtij bojkoti, ne dëshirojmë të sjellim këtë temë në qendër të vëmendjes dhe të krijojmë një valë reagimesh që mund të kontribuojnë në përmirësimin e situatës,” thonë ata.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të ndajnë pasiguri për të ardhmen e tyre financiare, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet. Iniciativa për bojkotin e marketeve nuk është e panjohur në regjion, pasi ashtu si në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, kanë ndodhur protesta të ngjashme për shkak të çmimeve të larta.
Bojkoti më 10 shkurt pritet të jetë një rast i rëndësishëm për të reflektuar mbi sfidat ekonomike që përballen qytetarët e Kosovës, dhe mund të sjellë ndryshime të nevojshme që do të ndihmojnë në uljen e çmimeve dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për të gjithë. Ky është një moment historik që tregon fuqinë e organizimit qytetar për të adresuar çështjet të cilat prekin direkt jetën e përditshme të secilit kosovar.