Krasniqi: Mimoza Kusari ta kalojë provimin te Albin Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i ka reaguar Mimoza Kusari – Lilës, pasi kjo e fundit tha se deputetët e LV-së janë ofenduar nga ai.

Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se nuk e ka ofenduar ministren Schwartz, “por vetëm e ka quajtur analfabete”.

“Mimoza Kusari-Lila, kjo zëdhënëse e përjetshme e pushtetit, duke u munduar qe ta heqë vëmendjen prej tentimit të sotëm të grupit të saj për ta heshtur dhunshëm opozitën në Kuvend, e besa edhe për të na sulmuar fizikisht, paska shpifur kundër meje, se kinse e paskam ofenduar atë dhe koleget e saj.

Siç ndodh rëndom, të ligët kur s’kanë argumente, shpifin.

Përveç nëse Mimoza ofendohet nga fjala “analfabet”.

Nëse po, atëherë vërtet e paskam “ofenduar” ministren Shwartz.

Sepse, ajo është absolutisht analfabete funksionale në lëmin e diplomacisë, gjë që po e shpërfaq çdo ditë në mënyrën më të turpshme, duke e goditur çdo vlerë të popullit e të shtetit tonë, sikur të ishte ministre e Serbisë, e jo e Kosovës”.

“Ndërsa, Mimozën, edhe pse më dhimbset pak, deri diku e kuptoj.

Në LVV ajo është mish i huaj dhe po bën përpjekje titanike që të dëshmojë lojalitet e militantizëm, ani pse ende nuk ia kanë besuar as pozitën e Shefes së Grupit Parlamentar, duke e mbajtur vetëm si “ushtruese të detyrës” tash e gati dy muaj.

Andaj, le ta ushtrojë këtë detyrë derisa ta kalojë provimin tek Albin Kurti, por mirë bën që të provojë ta ruajë dinjitetin e saj gjatë kësaj rruge”, ka shkruar Krasniqi.