Kurti: 8 Marsi na përkujton se çdo ditë ka shkelje të të drejtave, ka shfrytëzim të gruas

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar 8 Marsin, ku tha se kjo ditë na e përkujton që për çdo ditë ka shkelje të të drejtave, ka shfrytëzim të gruas.

Ai tha se këtë vit, për herë të parë në institucione të vendit ka pjesëmarrje më të madhe të grave, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Më tutje Kurti shtoi se gratë tek ne janë më punëtore, punojnë më shumë, por ja që kanë më pak vende pune.

Kjo është një padrejtësi e madhe shoqërore në Republikën e Kosovës.

Postimi i plotë:

Dita ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, është dita e cila na e përkujton që për çdo ditë ka shkelje të të drejtave, ka shfrytëzim të gruas.

Këtë vit e kemi bërë një hap para.

Për herë të parë në institucione të vendit ka pjesëmarrje më të madhe të grave.

Sigurisht që nuk është e mjaftueshme.

Barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm në ligje e rregullore të cilat mbesin tekste në letër, por pjesë e përditshme e jetës praktike e të gjithë neve.

Të drejtat, e kuotat që predikohen nga lart, s’i bëjnë kurrë njerëz (të barabartë) ata që mjerimi e papunësia i redukton ku më pak e ku më shumë në nocione biologjike, meshkuj e femra.

Premisa e emancipimit është mundësia për punësim dhe drejtësia e garantuar.

Emancipimi nuk duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë.

Dhe, duhet të filloj qysh me edukimin e hershëm të fëmijëve për barazinë gjinore.

Jo vetëm te ne, mbase sidomos te ne, gratë janë më punëtore, punojnë më shumë, por ja që kanë më pak vende pune.

Kjo është një padrejtësi e madhe shoqërore në Republikën e Kosovës.

Me qeverisjen e re, me ndryshimet që janë bërë me 6 tetor dhe me 3 shkurt, ne e kemi shansin që këtë ta përmirësojmë edhe në mënyrë institucionale e legjislative, por gjithashtu edhe me shembullin tonë të përditshëm.

Urime 8 Marsin!/Indeksonline/