Kurti bisedë telefonike me Engelin për pandeminë dhe politikën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me kongresistin amerikan Eliot Engel.

Temë diskutimi ishin pandemia Covid-19 dhe situata politike.

Kurti thotë se e ka falënderuar për angazhimin e tij për Kosovën.

“Kënaqësi të bisedoj me kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistin Engel.

Z. Engel ka kaluar tri dekada në Ballkan dhe ka njohuri të thella për rajonin.

E falënderova për rolin dhe angazhimin e tij aktiv ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj”, njoftoi Kurti përmes një cicërime në Twitter.

Kurti thotë se me Engelin kanë biseduar lidhur me situatën pandemike me Covid-19 por gjithashtu, edhe atë politike.

“Biseduam për situatën me COVID-19 në të dy vendet. Z. Engel gjithashtu shprehu shqetësimet e tij lidhur me politikën aktuale të SHBA-së ndaj Kosovës.

Ne theksuam rëndësinë e marrëdhënieve të koordinuara transatlantike midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian si mënyrën e vetme për të garantuar paqe, demokraci dhe përparim në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Kurti.