Kurti jep sinjale që nuk e pranon vendimin e Kushtetueses nëse caktohen afate

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka një kusht për ta pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

Do ta respektojë atë, vetëm në rast se në këtë dokument nuk “caktohen” afate që nuk i përmban as akti më i lartë juridik i shtetit.

“Ne do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa ai është interpretim i Kushtetutës, siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

“Koha Ditore” ka raportuar të premten se burime brenda Gjykatës kanë bërë të ditur se shtatë nga nëntë gjyqtarët ndodhen në anën e presidentit Hashim Thaçi, meqë në aktgjykim duan të “caktojnë” një afat 15-ditësh, brenda të cilit partia që kreu i shtetit i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heqë dorë nga kjo e drejtë.

Pas një vizite në Burgun e Dubravës, kryeministri në detyrë ka theksuar se rasti i Dekretit për mandatarin është vendimi më i rëndësishëm i përbërjes së tashme të gjyqtarëve të Kushtetueses.

Ai ka thënë se gjyqtarët janë të kufizuar vetëm në interpretimin e normave kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese duhet të punojë në qetësi, si e paanë, e pavarur, profesionale.

Ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën.

Nuk mund ta shkruajë Kushtetutën as Gjykata Kushtetuese, as kryeministri, as presidenti. Kushtetuta mund të ndryshohet, përkatësisht shkruhet, vetëm me amendamente në Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.

Kushtetuta nuk përcakton kohën brenda së cilës duhet ta ofrojë emrin e mandatarit partia që merr kërkesën për këtë propozim nga presidenti.

Pas mocionit, Thaçi e ka pritur vetëm 20 ditë Vetëvendosjen, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e fundit.

Më pas, ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër.

Ditën kur presidenti e ka nxjerrë Dekretin për ta caktuar Avdullah Hotin e LDK-së mandatar, partia e Kurtit e ka kontestuar në Kushtetuese dokumentin dhe Gjykata e ka pezulluar atë për kohën derisa ta nxjerrë aktgjykimin.

E në aktgjykim, sipas burimeve të KOHËS, pritet të përmendet afati 15-ditor, brenda të cilit partia duhet të japë përgjigje për emrin e mandatarit.

Në rrethanën kur kjo nuk bëhet, me aktgjykim presidentit do t’i lihen duart e lira për të dalë tek një parti tjetër.

Mes eksponentëve politikë që kanë reaguar pas publikimit nga KOHA të këtyre informatave, është edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo, një vendim të tillë eventual e ka quajtur arnim për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet.

Dekretit të presidentit Thaçi i është caktuar masë e përkohshme së paku deri më 29 maj, kur pritet që gjyqtarët e Kushtetueses të vendosin për këtë rast.