Web Analytics

Kurti: Kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje

Botuar nga: InfoKosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në kohën kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë.

Këto komente Kurti i bëri të premten në mbrëmje në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës të organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë. Në po të njëjtën ditë Irlanda feston edhe festën e Shën Patrikut, i cilësuar ndryshe si shenjtori mbrojtës i shtetit të Irlandës.

Siç thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit, në këtë festë të dyfishtë, duke e cilësuar si një nderë të madh që ndodhet aty për të festuar, Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Kurti e cilësoi fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Irlandës si një nga bekimet e vitit 2024. Në më pak se dy muaj u realizuan dy vizita shtetërore bilaterale. Fillimisht vizita e Kryeministrit të Irlandës, Leo Varadkar në Prishtinë më 10 janar, dhe vizita e Kryeministrit Kurti në Dublin më 29 shkurt dhe 1 mars”, thuhet në njoftim.

Në këto takime, kryeministri veçoi se janë pajtuar që ta intensifikojnë bashkëpunimin në një numër fushash, sidomos në sektorin e teknologjisë, për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve.

“Ne në Kosovë e vlerësojmë dhe e çmojmë partneritetin tonë me Irlandën”, tha kryeministri.

“Në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.

Në këtë drejtim, kryeministri iu shpreh veçanërisht mirënjohës kryeministrit irlandez, Varadkar për mbështetjen e tij të zëshmen për aplikimin tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai gjithashtu foli edhe për historinë e rëndësishme të Ditës së Shën Patrikut./Telegrafi/

Të FUNDIT