Kurti: Në Kosovë s’ka jetesë të mirë

Ish-kryeministri Albin Kurti thotë se në Kosovë jetohet keq.

Në Facebook, ai ka renditur shifrat e vitit 2018 për kushtet e jetesës dhe të ardhurat e qytetarëve.

Kurti ka publikuar të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, të cilat pasqyrojnë jetesën e qytetarëve të Kosovës.

Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018.

E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë”, ka shkruar Kurtis.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Mjerimi si shifër e shtetit

Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018.

E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.

– Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;

– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;

– 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;

– 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;

– 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;

– 35.4% nuk kanë kompjuter;

– 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;

– 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;

– 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;

– Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.

Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët.

Qeveria sot është kot.

Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.

Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë.

Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë.

Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre.