Kurti: Qeveria ime, më e ndershmja që nga paslufta – ka shumë xhelozi nga opozita

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të diskutuar rreth raporteve me ShBA-në, foli edhe për mbledhjen e qeverisë të mbajtur në Prevallë.

Ai tha se për dallim nga të tjerët qeveria që ai drejton nuk fjeti në Prevallë e as nuk shkoi në Bullgari.

Kurti tha se qeveria e tij është më e mira dhe më e ndershmja.

“Jemi të përkushtuar të luftojmë korrupsionin. Po kemi qenë një dite në Prevallë, nuk kemi fjetur aty.

Për dallim prej të tjerëve më herët që kanë shkuar në Bansko të Bullgarisë, ne kemi shkuar në Prevallë të Prizrenit, kemi marrë një mori vendimesh.

Kjo prapa meje është qeveria më e mirë e pasluftës, më e ndershme e pasluftës.

Ka shumë xhelozi ndaj kësaj qeverisje”, tha Kurti.

Ndërkaq, po ashtu, Kurti tha se ka marrëveshje të gatshme mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologu të tij serb Aleksandar Vuçiq, raporton Telegrafi.

“Bëhet fjalë për heqje të tarifës e për mbyllje të dialogut me marrëveshje të gatshme, midis dy presidentëve jam i bindur që ka marrëveshje”, tha Kurti në Kuvend.

“Vetëm 10% të ishin gjasat që ka marrëveshje të gatshme duhet të jemi tejet të kujdesshëm e unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme, ky është problemi.

Jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet dhe ka një qëndrim sublim normal e ky është zëvendësimi gradual i tarifës 100% me reciprocitet.

Përgjatë këtij zëvendësimi gradual do të krijoheshin masat e mirëbesimit për dialogun”, tha Kurti.