Kurti: Qeveria nuk ka paguar asnjë euro për rrymën në katër komunat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria nuk ka paguar asnjë euro për shpenzimin e rrymë në katër komunat në veri të vendit.

Kurti duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Time Kadrijaj në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, shprehet se janë duke punuar që t’i vendosin konsumatorët e veriut në sistemin e faturimit, përcjell Telegrafi.

“Rekomandimet e Komisionit për Ekonomi nuk kanë dhënë ndonjë shifër për pagesë.

Rekomandimet obligojnë KOSTT-in që t’i paraqes tri gjëra kryesore si, në baza mujore devijimet energjisë elektrike në veri, shpenzimet e energjisë mujore retroaktivisht dhe zgjidhjen mujore”, tha Kurti.

“Qeveria e Kosovës nuk ka paguar asnjë euro për rrymën në veri.

Ndërmarrja publike KOSTT-i ka vijuar që t’i mbuloj devijimet energjetike për këto komuna.

Qeveria është duke punuar që t’i zbatoj rekomandimet e Kuvendit, do me thënë futjen e banorëve në sistemin e faturimit që të trajtohen të barabartë.

Për këtë çështje jemi duke punuar me ZRRE-në, Zyrën e BE-së dhe me partner të tjerë”, përfundon ai. /Telegrafi/