Kurti: Thaçi u zmbraps nga ideja për gjendje të jashtëzakonshme, Veliu nxitoi të bëhej më katolik se Papa

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas tij, sidomos nga një ministër, duke iu referuar Agim Veliut të cilin e shkarkoi gjatë ditës së sotme nga pozita e Ministrit të Brendshëm.

“Presidenti Thaçi është zmbrapsur nga ideja për gjendje të jashtëzakonshme.

Presidenti ushtroi trysni mbi ekspertë dhe ngadhënjeu shkenca mbi politikën.

Zmbrapsja e Presidentit që u dokumentua sot tregon një lloj nxitimi të atij ministri që të bëhej më katolik se Papa, që ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.

“Në Qeverinë time nuk do të ketë ministra ku duan ta shpallin shpalljen!.

Tash është liria e shprehjes”.

Në konferencë të jashtëzakonshme për media, Kurti ka pohuar se do t’i presin veprimet e LDK-së që do të pasojnë tash e pas për t’u përgjigjur.

“Tash duhet të përqendrohemi si Qeveri për luftimin e virusit Korona.

S’ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme të shpallur sidomos nga ndonjë ministër në mesnatë”.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se Presidenti Thaçi nuk ka biseduar fare me KFOR-in rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

“Presidenti nuk ka kontakt me udhëheqjen e KFOR-it në iniciativën e tij për të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Është për t’u habitur se qysh presidenti donte të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Kjo është absurde.

Ose ka hyrë në faze delirante të mendojë se mund të bëhet e jashtëzakonshmja pa KFOR-in.

Kam takuar Komantandin e KFOR-it sot, Michele Risi dhe e kam pyetur: “A ju ka takuar Presidenti?, tha,” JO””.

“Kam vepruar me përgjegjësi të plotë mbi bazën e fakteve.

Të deklarohesh si ministër në mesnatë në kundërshtim me Kryeministrin është e papranueshme”.

“Ish ministri më ka kritikuar mua edhe përpara, kurrë nuk jam hidhëruar, edhe nuk ia kam kthyer kritikën.

Le të thonë çka të dojë, nuk jam këtu për ta mbrojtur veten, por nuk mundesh në mesnatë të përgjigjesh për iniciativën e Presidentit.

Po të thoshte ish ministri se nuk jam i kënaqur me Kryeministrin – por të fliste për idetë e mia kurrë nuk do ta merrja këtë vendim”.

“Gjendja e jashtëzakonshme nuk është fjalë goje.

Është skaji i Kushtetutës.

Nuk ka asgjë më të jashtëzakonshme se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Si Kryeministër nuk mund ta tolerojë e as ta falë një veprim të tillë, sepse kur flet ai që është në ekzekutiv fjala është vepër”.