Kurti tregon sa projektligje i miratoi sot Qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar 23 projektligje dhe 1.7 milionë euro për kompensimin e dëmeve në bujqësi.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në secilën mbledhje po përmirësojmë dhe avancojmë kornizën tonë ligjore duke miratuar projekligje të reja dhe plotësuar e ndryshuar ato aktuale”.

“Sot kemi miratuar plot 23 projektligje. Tre sosh që rregullojnë të drejtën e pronësisë industriale dhe përcaktojnë standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e turizmit, kurse 19 tjera janë harmonizuar me Ligjin për Kundërvajtje për të mundësuar zbatimin e plotë të sanksioneve kundërvajtëse në institucionet bujqësore.

Një projektligj me rëndësi të veçantë e që e miratuam sot është ai i marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti.

Përmes këtij projektligji do të avancojmë diplomacinë ushtarake në funksion të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare sikurse ajo e Kartës së Adriatikut”, ka shkruar Kurti, përcjell Telegrafi.

Më tej, Kurti ka thënë se“Ky është vendimi ynë i dytë për kompensimin e dëmeve të fatkeqësive natyrore.

Deri më tani kemi ndarë 3 milionë euro për këtë qëllim.

Ndërkaq përkrahja për fermerët në këtë vit kalendarik ka arritur vlerën mbi 50 milionë euro”.

Ai gjithashtu thotë se kanë shfuqizuarvendimin për vazhdimin e mandatit të kryeinspektorit të Inspektoriatit të Tregut.

“Në këtë mbledhje të 45-të bëmë edhe përgatitjet e fundit për mbledhjen e shtatë të përbashkët të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë duke i rekomandur Presidentes së vendit autorizimin e nevojshëm për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për sigurimet shëndetësore”.

“Nesër vazhdojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të prezantuar, diskutuar dhe miratuar Buxhetin për vitin 2022, për t’u angazhuar çdo ditë e më shumë në zbatimin e programit qeverisës dhe plotësimin e zotimeve tona para qytetarëve”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/