Kurti tregon se çfarë bisedoi me Thaçin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për media pas takimit që pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i cili takim zgjati vetëm 5 minuta.

Kurti tha që ishte një takim teknik ku u bisedua për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Në këtë takim disa minutësh unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin për formimin e qeverisë, por tha që e di që u nevojitet një kohë por, kërkoj që ne të bëjmë propozimin.

Por në bazë të kushtetutës, ne duhet ta bëjmë një kërkesë me shkrim dhe sa më parë që të mundemi t’ja sjellim presidentit propozimin për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet ta mandatojë.

Takimi zgjati pak minuta se ishte takim konsultativ dhe teknik, ndoshta do të ketë takime politike, por ndoshta në të ardhmen”, tha ai.

Kurti foli edhe për ofertën që bëri sot ai duke treguar edhe emrat e ministrave nga VV, ndërsa tha se është i interesuar sa më parë të takohet me LDK-në për formimin e qeverisë.

“Unë besoj që qytetarët nuk duan ta dimë se kush cilat ministri i mori kush, por emrat e njerëzve profesionistë, të devotshëm, të cilët do të shërbejnë për popullin dhe në bazë të programit

Unë dua që sa më parë të takohemi me LDK-në dhe të fillojmë fazën e përmbylljes së bisedimeve dhe ta kurorëzojmë koalicionin.

Për mua takim do të kishte dje, sot, pardje.. jemi në komunikim.. kam insistuar për takime të shpeshta dhe uroj që kjo të ndodhë.

Por, e shprehi vullnetin që të ecim përpara shpejtë se s’kemi kohë për të humbur.

Deri më 26 dhjetor kemi mundur të arsyetohemi, prandaj pata bërë ofertën më 23 dhjetor, meqë para 26 dhjetorit më nevojitej ta zgjerojë koalicionin për ta caktuar një ministër serb dhe për ta aprovuar koalicionin, me që u refuzua oferta.

S’donim të zvarritet konstituimi, por unë do të jem kryeministri dhe është kosto politike për mua.

Por zvarritja e Kuvendit është kosto për shtetin.

S’mund të kthehemi para 26 dhjetorit, ashtu siç para 6 tetorit, koha kalon, edhe unë do të dëshiroja të jem më i ri 10 vjet, por s’është as kjo e mundur.

Kuvendi është konstituuar, me vota të lira dhe tani besoj që të bëjmë hapja përpara.

Oferta që unë kam bërë më 23 dhjetorit u refuzua, tash duhet të takohemi dhe të bisedojmë”.

Ai shtoi tutje se nuk ka caktuar asnjë ministër nga LDK, e që edhe emrin e ministrit serb do ta bëj publike pasi t’i bëhen të ditur nga ata të LDK-së.

“S’kam caktu asnjë ministër nga LDK, kam lënë vend të zbrazët për ta dhe kam shprehur vendosmërinë që të ecim përpara, s’e kemi kohën private, por atë publike.

Unë s’dua të propozojë emrin e ministrit serb, pa i pasur ata të LDK-së.

Kurdo që ata janë të gatshëm, jam në kontakt me ta, fakti që s’kemi pas takim, s’do të thotë që nuk flasim.

Sot do t’i kontaktojë se kur do të kemi takime.

Nuk kam dhënë ministri as s’kam marrë ministri, për bindjen time më mirë të ishte që çështja e presidentit të bisedojmë kur të vije koha, por pasi të mbyllet çështja e qeverisjes.

Nuk më duken qytetarët të zgjedhim sërish, por nëse na imponohen zgjedhjet, patjetër që marrim pjesë, por kemi shans historik dhe unik që me LDK-në ta bëjmë qeverinë së bashku”.

Ndryshe, ky është takimi i parë në mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit.

Shiko Videon:

https://www.facebook.com/IndeksonlineOfficial/videos/456466121969060/?t=0