Lajme të mira për luftën me Covid-19! Vaksina e Oksfordit rezulton efektive

Një vaksinë koronavirusi e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit mendohet të jetë e sigurt dhe shkakton një përgjigje imune.

Testimet që përfshinin 1,077 persona treguan se injeksioni çoi në krijimin e antitrupave dhe qelizave T që mund të luftojnë koronavirusin.

Gjetjet janë jashtëzakonisht premtuese, por është ende shumë shpejt të mësohet nëse kjo është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje ndaj virusit, por ndërkohë janë duke u zhvilluar testime të tjera.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës.

Si funksionon vaksina?

Vaksina – e quajtur ChAdOx1 nCoV-19 – po zhvillohet me një shpejtësi të paparë.

Ajo është bërë nga një virus i gjeneruar gjenetikisht që shkakton ftohjen e zakonshme te shimpanzetë.

Është modifikuar shumë në mënyrë që të mos shkaktojë infeksione te njerëzit dhe gjithashtu “të duket” më shumë si koronavirus.

Kjo do të thotë se vaksina i ngjan koronavirusit dhe sistemi imunitar mund të mësojë si ta sulmojë atë.

Çfarë janë antitrupat dhe qelizat T?

Fokusi më i madh i koronavirusit deri më tani ka qenë tek antitrupat, por ato janë vetëm një pjesë e mbrojtjes sonë imune.

Antitrupat janë proteina të vogla të bëra nga sistemi imunitar që ngjiten në sipërfaqen e viruseve.

Antitrupat neutralizues mund të çaktivizojnë koronavirusin.

Qelizat T, një lloj qelizë e bardhë e gjakut, ndihmojnë në koordinimin e sistemit imunitar dhe janë në gjendje të zbulojnë se cilat nga qelizat e trupit janë infektuar dhe i shkatërrojnë ato.

Pothuajse të gjitha vaksinat efektive shkaktojnë një antitrup dhe një përgjigje të qelizës T.

Prof Andrew Pollard, nga grupi i kërkimit në Oksford, tha për BBC:

“Ne jemi vërtet të kënaqur me rezultatet e publikuara sot teksa po shohim edhe antitrupa neutralizues, edhe qeliza T.

“Ata janë jashtëzakonisht premtues dhe ne besojmë se kjo përgjigje mund të shoqërohet me mbrojtje.

Por pyetja kryesore që të gjithë duan të dinë është a funksionon vaksina, a ofron mbrojtje … dhe ne jemi në pritje për ta mësuar.”

Studimi tregoi se 90% e njerëzve zhvilluan antitrupa neutralizues pas një doze. Vetëm dhjetë njerëzve iu dhanë dy doza dhe të gjithë prodhuan antitrupa neutralizues.

A është vaksina e sigurt?

Po, por ka efekte anësore.

Nuk ka efekte anësore të rrezikshme nga marrja e vaksinës, megjithatë, 70% e njerëzve të studiuar zhvilluan ose ethe, ose dhimbje koke.

Megjithatë, studiuesit thonë se këto simptoma mund të menaxhohen me paracetamol.

Prof Sarah Gilbert, nga Universiteti i Oksfordit, në Mbretërinë e Bashkuar, thotë:

“Ka ende shumë punë për të bërë para se të konfirmojmë nëse vaksina jonë do të ndihmojë në menaxhimin e pandemisë së Covid-19, por këto rezultate paraprake duken premtuese”.

Kur mund ta bëjë vaksinën?

Është e mundur që një vaksinë e koronavirusit do të dëshmohet e efektshme para fundit të vitit, megjithatë, ajo nuk do të jetë e disponueshme për të gjithë.

Punonjësit e shëndetit do të kenë përparësi, ashtu si njerëzit që konsiderohen të rrezikuar nga Covid-19 për shkak të moshës së tyre ose kushteve mjekësore.

Sidoqoftë, vaksinimi në masë ka të ngjarë të jetë i mundur vitin e ardhshëm.