Largohen nga Kosova edhe 141 afganë

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka njoftuar se 141 afganë që qëndruan në Kosovë për disa javë, janë rrugës për në SHBA.

“Mirënjohës ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe kosovarëve për pritjen e përkohshme të udhëtarëve afganë.

Prioriteti ynë është plotësimi i kërkesave në mënyrë që mysafirët e Camp Liya-s të mund të largohen nga Kosova dhe ta fillojnë jetën e tyre të re. 141 afganë, 30 për qind e atyre që mbërritën, tashmë janë rrugës për në SHBA”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.

Afganët ikën nga shteti i tyre pasi talibanët morën kontrollin e vendit, u transferuan në Kosovë nga forcat amerikane.

Afganët u strehuan në kampin që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në qytetin e Ferizajt.