Letra që po përlot njerëzimin, 27 vjeçarja: Jam me kancer, nuk dua me vdekë!

Mesazhi që një grua a re australiane shkroi për botën para se të vdiste është shpërndarë nga të afërmit e saj në rrjetet sociale pasi ajo humbi betejën me kancerin, shkruan tabloidi britanik “Daily Mail”.

Para se të vdiste nga një formë e rrallë e kancerit, 27 vjeçarja Holly Butcher shkroi një letër të hapur frymëzuese në Facebook që tashmë ka kaluar kufijtë e vendlindjes së saj, Australisë, në atë që përfundoi si dhurata e saj e fundit për botën.

Mendojeni çdo ditë si dhuratë!

“Është një gjë e çuditshme të kuptosh dhe të pranosh vdekjen kur je vetëm 27 vjeçe”, e fillon mesazhin Holly Butcher.

“Është thjesht një nga ato gjërat që injoron.

Ditët kalojnë dhe ti pret që ato do vazhdojnë të vijnë;

Deri sa ndodh e papritura.

Gjithmonë e kam imagjinuar veten duke u plakur, me rrudha dhe me flokë të thinjur – ndoshta për shkak të familjes së bukur (me shumë fëmijë) që planifikoja të krijoja me dashurinë e jetës time.

E dua këtë aq shumë sa më dhemb shpirti.

Kjo është ajo që duhet të kuptojmë për jetën;

Është e brishtë, e çmuar dhe e paparashikueshme dhe çdo ditë është një dhuratë, jo një e drejtë e dhënë”

Mos u shqetësoni kaq shumë!

27 vjeçarja australiane më tej tregon perspektivën e saj, e detyruar të pranojë para kohe vdekjen:

“Thjesht dua që njerëzit të mos shqetësohen kaq shumë për gjërat e vogla, streset e pakuptimta në jetë.

Përpiquni të kujtoni që në fund të fundit, ne të gjithë kemi të njëjtin fat, kështu që bëni gjithçka që koha juaj të jetë fantastike dhe me vlerë”– shkroi ajo.

Holly ju lutet atyre që do lexojnë mesazhin e saj që të mos shqetësohen për gjërat e vogla dhe të vlerësojnë çdo moment të jetës, që në fund ka vetëm një fat final.

“Ju betohem se nuk do mendoni për këto gjëra të vogla kur të vijë radha juaj të vdisni.

Kur e shikoni jetën në tërësi, e kuptoni se është e gjitha kaq e parëndësishme.

E shikoj trupin tim që po shkrihet para syve të mi dhe nuk mund të bëj asgjë, dhe e vetmja gjë që dëshiroj tani është që të kisha mundësinë të kaloja edhe një herë Krishlindjet ose një ditëlindje me familjen time, ose thjesht një ditë tjetër me partnerin tim”.

Edhe diçka tjetër, mendoni sa me fat jeni!

Holly këshillon që njerëzit të shprehin dashurinë për të afërmit e tyre sa herë që t’ju jepet mundësia:

“Mos jetoni një jetë të bazuar në pritshmëritë e të tjerëve;

blini diçka për një shoqe të dashur në vend që të blini një fustan për vete; mos u fiksoni rreth “trupit të përsosur të rrjeteve sociale”; fshini disa lajme nga rrjetet sociale që ju bëjnë të ndjeheni pessimist, edhe pse rrezikoni të lëndoni ndjenjat e dikujt tjetër; tregohuni të pamëshirshëm për mirëqënien tuaj”

Bëni diçka për të tjerët!

Në mënyrë të përshtatshme, Holly Butcher e mbylli postimin e saj të fundit në Facebook me një mesazh të fundit:

Një thirrje për të dhuruar gjak.

“Dhurimi i gjakut më mbajti gjallë edhe një vit- një vit për të cilin do jem përgjithmonë mirënjohëse që arrita të kaloj mbi tokë me familjen dhe miqtë.

Një vit që më dhuroi eksperiencat më të bukura të jetës sime”.

Fjalët e saj kanë frymëzuar shumë njerëz në të gjithë botën, ndërsa postimi i 27 vjeçares është shpërndarë mijëra herë në rrjetet sociale.