Librat që zgjodhi Lumir Abdixhiku në panair

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot Panairin e Librit në Prishtinë, ku ka thënë se shoqëria jonë ka nevojë për ritme të reja leximi, siç ka nevojë dhe për gjenerata që nuk mendojnë të zëvendësojnë vet leximin.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se me moton “Libri mbron mendjen”, edicioni i 22-të i ngjarjes kryesore të librit në Kosovë, rikthehet pas dy vitesh mungesë.

“Pjesëmarrja substanciale e shtëpive botuese si dhe interesimi i madh i lexuesve në këtë panair, veçmas i të rinjve e të rejave, ishte ndjenjë jashtëzakonisht e mirë. Për secilin që beson në forcën e librit si shtyllë të progresit tonë kombëtar e kolektiv, kultivimi i kulturës së leximit dhe nxitjes së shkrimeve e publikimeve, është mision që s’përfundon asnjëherë. Shoqëria jonë ka nevojë për ritme të reja leximi, siç ka nevojë dhe për gjenerata që nuk mendojnë të zëvendësojnë vet leximin. Disa nga librat që zgjodha t’i blejë në këtë panair ishin: “Ditari i zizë” nga Roland Barthes; “Kambana e qelqtë” nga Sylvia Path; “Njerëz që lexojnë” nga Édouard Philippe; dhe “Shtatë nga ata” nga Azem Shkreli”, ka shkruar ai.