Lista serbe edhe kësaj radhe ka kundërshtuar.

Ajo ka kundërshtuar vendimin se në zgjedhje do të votohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe, me të cilën kundërshtohej udhëzimi i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të cilit, votim i vlefshëm në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, konsiderohet vetëm ai që realizohet përmes dokumenteve identifikuese të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.

Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Mul Desku tha për Radion Evropa e Lirë se apeli i Listës Serbe është refuzuar.

“PZAP ka vendosur që ta refuzoj apelin e Listës Serbe si të pabazuar, pasi që ka vlerësuar se udhëzimi i KQZ-së është i drejtë dhe i ligjshëm”, tha Desku.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sidomos ata të Listës Serbe, e kanë kundërshtuar këtë udhëzim, pasi që në zgjedhjet e kaluara është dëshmuar që një numër i konsiderueshëm i serbëve të Kosovës, sidomos ata që jetojnë në katër komunat veriore, posedojnë dokumente identifikuese, letërnjoftime, të Serbisë.

Lista Serbe, subjekt ky politik që në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale ka fituar bindshëm në raport me partitë rivale nga komuniteti serb, e konsideron udhëzimin e KQZ-së si të paligjshëm, shkruan REL.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se “udhëzimi i KQZ-së është i paligjshëm” dhe se, sipas tij, ai përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut.