Masat e Kurtit kundër bordeve, kush ishin 17 zyrtarët që u shkarkuan?

Tri borde të ndërmarrjeve publike janë shkarkuar që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të ekzekutivit.

“Fshesa” e Kurtit së pari hyri në Telekom, për të vazhduar më pas në Infrakos e Trepçë.

Me vendim të tij, u shkarkuan 17 anëtarë të bordeve të këtyre ndërmarrjeve.

Ju sjellim profilet e anëtarëve të bordeve të shkarkuara dhe lidhjet e tyre me politikën.

Ishin të mbushura me njerëz të politikës, operuan me humbje dhe punësuan e graduan pa asnjë kriter, por pavarësisht kësaj, anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike vazhduan punën pa u penguar nga askush.

Por, puna e tyre mori fund me formimin e Qeverisë së re.

Tri borde të ndërmarrjeve publike u shkarkuan nga Qeveria Kurti brenda dy javësh.

Fillimisht u mor vendimi për shkarkimin e Bordit të Telekomit, për të vazhduar më pas me shkarkimin e bordit të Infrakosit dhe Trepçës.

Ditën kur u mor vendimi për shkarkimin e Bordit të Telekomit, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, para kabinetit qeveritar bëri me dije se Telekomi është në prag të falimentimit, andaj duhet vepruar.

“Është në gjendje të rëndë financiare dhe operative.

Ndodhet në prag të falimentimit.

Në këto rrethana si ministre përgjegjëse konstatoj nevojën për veprim të menjëhershëm të Qeverisë.

Shkarkohet bordi dhe emërohet bordi i ri”, deklaroi ministrja Hajdari

Arsyeja e shkarkimit ishin shpenzimet e tepërta dhe punësimet e gradimet pa kriter.

“Për të vlerësuar gjendjen është marrë parasysh raporti i auditimit.

Qeveria mund t’i shkarkojë drejtorët nëse ndërmarrja për dy vjet nuk përmbush planin.

Qeveria konstaton se janë plotësuar kushtet për shkarkimin e drejtorëve, duke pasur parasysh raportin e auditimit.

Ata kanë lejuar shpenzime të tepërta, punësime e gradime pa kriter.

Ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat financiare për çka duhet të shkarkohen”, tha në mes tjerash kryeministri Albin Kurti.

Përveç që kishin lejuar shpenzime të tepërta e punësime e gradime pa asnjë kriter, shumica e anëtarëve të këtij bordi njihen për lidhje me njerëz të politikës.

Ish-drejtoresha e këtij bordi, Besa Shatri është gruaja e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berishës.

Shatri-Berisha është menaxhere e kontabilitetit në KEK qe 10 vite.

Po ashtu punon në kompaninë ‘Audit Conto’ me orar jo të plotë dhe është këshilltare për financa një një OJQ vendore KRCT.

Edhe ish-anëtari tjetër i këtij bordi, Skënder Hoti shoqërohet me njerëz të politikës.

Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar me Fatmir Limajn dhe dëshmitar në rastin Bellanica.

Ai e kishte pranuar për media se ka shoqëri me kreun e Nismës, por e kishte mohuar që ishte pjesë e kësaj partie.

“Po kam qenë dëshmitar në rastin Bellanica.

E njoh [Fatmirin], i kam dosta të luftës krejt ata që kanë qenë në luftë”, kishte thënë ai për JNK.

Pjesë e bordit të shkarkuar të Telekomit ishte edhe Sead Ujkani, i cili njihet për afërsinë e tij me një deputet të PDK’së.

Ai është mik i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt.

Pjesë e këtij bordi ishin edhe Suzana Andjelkovic dhe Shkëlzen Ibrahimi, i cili ishte emëruar në vend të Fidel Krasniqit, i cili kishte dhënë dorëheqje nga Bordi në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.

“Fshesës” së Kurtit, nuk i shpëtoi as Bordi i Infrakosit.

Ministrja e Ekonomisë i propozoi kabinetit qeveritar shkarkimin e Bordit, me arsyetimin se anëtarët e këtij bordi nuk e kanë shkarkuar kryeshefin Agron Thaçi, pas ngritjes së aktakuzës.

“Bordi ka shkelur detyrat fiduciare për shkak që ka dështuar të marrë masa ndaj krye shefit të ndërmarrjes i akuzuar për keqpërdorim të pozitës, me 3 janar 2020 Prokuroria e Prizrenit, departamenti për krime të rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Agron Thaçit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bordi ka njoftuar se ka shqyrtuar rastin, por kanë thënë se nuk duan te i interferojnë në punët e Drejtësisë.

Bordi s’ka nevoje të pres.

Bordi ka vonuar pa arsye përmbushjen e detyrimeve ligjore”, deklaroi ajo.

Hajdari përmendi edhe arsye të tjera se pse ky Bord duhet të shkarkohet.

“Poashtu, likuideti i ndërmarrjes ka rënë dukshëm në vitet e fundit, për çka bordi ka bazë të shkarkoj kryeshefin, prandaj unë i propozoj qeverisë të shkarkoj bordin për shkelje të detyrave financiare”, deklaroi ministrja në mbledhjen e qeverisë.

Në krye të këtij bordi ishte emëruar në mandat të dytë me një vendim të qeverisë së Ramush Haradinajt, Enver Aruqaj, si kryesues.

Ai kishte qenë një nga njerëzit më të afërt të Partisë Demokratike të Kosovës, një ushtarak që kishte qenë këshilltar i Hashim Thaçit dhe Bajram Rexhepit, kur të dy këta mbanin postin e kryeministrit.

Anëtar i këtij bordi ishte edhe Lundrim Camaj.

Camaj është i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, saktësisht me Xhavit Halitin, simpatinë për të cilin nuk heziton ta shprehë edhe në rrjete sociale.

Përveç tyre, pjesë e bordit ishte edhe Enis Berisha, që dikur kishte qenë drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Ai ishte bërë i famshëm pas deklaratave se kishte aplikuar shtatë herë në pozita të larta dhe nuk ishte emëruar.

I afërt me PDK-në është edhe ish-anëtari tjetër i bordit, Nagip Skenderi.

Ai kishte qenë sekretar në MPJ, gjatë kohës kur Enver Hoxhaj udhëhiqte me këtë dikaster. Aktualisht, ligjëron në Fakultetin Ekonomik.

Pjesë e këtij bordi ishin edhe njerëz që kishin lidhje edhe me partinë e Ramush Haradinajt.

Ish-anëtari i këtij bordi, Arben Dodaj, në rrjete sociale ka fotografi të tij me njerëz që mbajnë pozita të larta në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Bordi i “Infrakos”-it ishte emëruar në datë 2 prill të vitit të kaluar, në mbledhjen e Qeverisë që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Shkarkimit nuk i shpëtuan as anëtarët e Bordit të Trepçës.

Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e bordit të Trepçës të cilët u shkarkuan nga Qeveria Kurti.

Shumica prej tyre kanë lidhje me njerëz të politikës – prej tyre ka ish-kandidat komune, asamblist dhe ish-anëtar të Bordeve të cilët vijnë nga partitë të cilat ishin në qeveri, mandatin e kaluar.

Peci ishte zgjedhur asamblist i AAK-së në Mitrovicë.

Ai ishte edhe kandidat i partisë për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

Madje Peci është edhe kryetar i degës së AAK-së në Mitrovicë.

Edhe Feriz Fetahu, ishte kandidat për asamble të Mitrovicës, por nga Partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën (tash Nisma Socialdemokrate).

Ai mbante numrin 2 në listën e certifikuar nga KQZ.

Kandidati tjetër, Ardian Syla, ishte anëtar bordi në KUP Prishtina.

Ai ishte emëruar anëtar i Bordit të Drejtorëve të KUP “Prishtina” më 30 tetor 2015.

Ai në rrjetin social Facebook shihet që shoqërohet me njerëz të PDK-së, e në maj të vitit të kaluar ka postuar foto edhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Madje Syla gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale shihet edhe në zyrë të shtabit të PDK-së në Prishtinë.

Për shkarkimin e këtij bordi, Ministrja Rozeta Hajdari, citoi Kushtetutën dhe Ligjin për Trepçën si arsye.

“Unë i propozoj qeverisë që të shkarkojnë drejtorët, këtë propozim e jap duke u mbështetur në Kushtetutë, Ligjin për Ndërmarrje Publike si dhe Ligjin për Trepçën.

Në rastin e Trepçës tërësia e rrethanave rreth menaxhimit të pa lujtshmërive dhe punësimit jep arsye për të besuar se bordi mbikëqyrës ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi edhe disa arsye tjera që këta drejtorë të shkarkohen.

“Gjatë shkurtit 2020 Trepça ka hapur procedura tenderimi për dhënien me qira të pronave të paluajtshme të ndërmarrjes që përfshinë disa tokë dhe objekte.

Qiradhënia afatgjate e kësaj natyre bie ndesh me nenin 1 të ligjit për këtë Trepçën”, tha ajo.

Ajo kishte përmendur edhe konkursin e fundit që kishte shpallur kjo ndërmarrje si arsye shtesë.

“Më 24 shtator 2019, Trepça ka shpallur konkurs për 220 punëtorë të rinj, shpallja e kandidatëve të suksesshëm ka ngritur dyshime për keqpërdorime.

Banorët kanë protestuar, jemi njoftuar që edhe Prokuroria ka nisur hetime.

Veprimet ose mosveprimet e bordit mbikqyrës kanë dëmtuar imazhin e ndërmarrjes”.

Ndryshe, Koalicioni qeveritar LV – LDK e kishte paralajmëruar qysh në fushatë se nëse arrijnë që të fitojnë në zgjedhje do të bëjnë shkarkime të bordeve të disa kompanive publike, që nuk kanë treguar performancë të mirë vitet e fundit./Gazeta Express