Mbi 2 mijë kërkesa të kosovarëve për t’u kthyer nga vende të ndryshme të botës

Deri më tani nga vendet e ndryshme të Evropës në Kosovë janë kthyer qindra qytetarë të cilët kanë përfunduar në karantinë në Qendrën Studentore në Prishtinë.

Mirëpo, janë edhe mbi 2 mijë kërkesa të kosovarëve për t’u kthyer nga vende të ndryshme të botës.

Kështu ka bërë të ditur shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Alban Zogaj.

Zogaj tha se deri më tani kanë realizuar 7 fluturime, ndërsa ditëve në vijim pritet të organizojnë fluturim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Skandinavia.

E kthimi i qytetarëve të Kosovës nga vendet e tjera, Zogaj tha se po varet nga numri i vendeve që janë në Qendrën e Studentëve që është kthyer në karantinë.

Të gjitha kthimet po na varen shumë prej hapësirave që kemi në qendrën e karantinës.

Aktualisht janë të vendosur diku rreth 200 qytetarë në qendrën e karantinës dhe kemi të lira diku rreth 200-300 vende.

Kështu që, në momentin që po lirohen vende në qendrën e karantinës ne po kthejmë qytetarët të tjerë.

Sa më shumë vende në qendrën e karantinës aq më shumë mundësi për ne për të kthyer qytetarët e Kosovës që janë të interesuar të kthehen në vendin e tyre…

Ne nuk kemi mandat për këtë pjesë, po më shumë e ka nën përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë, ata e kanë pa si shumë të përshtatshme Qendrën e Studentëve për të qenë qendër e karantinës dhe tani po e menaxhojmë të gjithë këtë situatë përmes Qendrës së Studentëve dhe nuk ka pasur një vendim të ri për të rritur hapësirat ose për të analizuar një vend tjetër”, tha ai.