Mbi 250 mijë qytetarë vaksinohen në Kosovë kundër COVID-19

Në Kosovë është duke vazhduar procesi i vaksinimit të qytetarëve me vaksinën antiCOVID-19.

Deri më sot mbi 200 mijë qytetarë kanë arritur të marrin vaksinën.

Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 252.938 doza të vaksinës”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

MSh gjithashtu ka bërë të ditur se me dozën e dytë të vaksinës janë vaksinuar 63 mijë e 529 qytetarë.

Kujtojmë mesditën e së shtunës asnjë qytetarë nuk u pa në Qendrën e Vaksinimit “1 Tetori”.

Koordinatori i qendrës “1 Tetori”, Niman Bardhi, ka thënë se të shtunën dhe të dielën do të vaksinohen qytetarët që kanë pasur t’i marrin dozat e dyta.

Ditët e fundit, kosovarët kanë hezituar të vaksinohen me vaksinën e AstraZenecas.

Për shkak të këtij hezitimi, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga java e ardhshme qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vaksinën që duan.

Aktualisht në Kosovë janë dy lloje të vaksinave, Pfizer dhe AstraZeneca. /Telegrafi/