Mbyllen të gjitha parqet në Kosovë – lokaleve u ndalohet edhe shërbimi “take-away” i kafesë

Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve ka marrë vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Kosovës do të mbyllen nga ora 08:00 deri në ora 20:00.

Sipas një njoftimi të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Policia e Kosovës do të jetë në të gjitha pikat ku janë parqet dhe nuk do të lejojë asnjë qytetar që t’i frekuentojë ato.

“Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e organeve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse ato po bëhen me qëllim të ruajtjes së shëndetit tuaj dhe të familjes tuaj.

Po ashtu ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që gjatë daljeve publike, të mbajnë distancën sociale me njëri-tjetrin”, ka thënë MPB-ja në njoftimin për media, raporton KOHA.

Po ashtu, kjo ministri ka njoftuar se nga nesër obligohen të gjitha marketet dhe dyqanet që janë të lejuara të punojnë, që të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.

Gjithashtu, MPB thekson se nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafesë si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take-Away), pavarësisht llojit të shërbimit primar.

“Ju lutem që t’i ndiqni këto udhëzime sepse këto po bëhen për të mirën tuaj, sepse vetëm kështu do t’i ndihmoni edhe institucionet e shtetit që bashkërisht t’ia dalim edhe kësaj sfide.

Ju ftojmë që të kontribuoni duke qëndruar në shtëpi, për të mos i humbur mundin mjekut, policit, ushtarëve të FSK-së, doganierëve, ekipeve emergjente dhe të gjithë atyre që po japin kontribut për të tejkaluar këtë situatë”, ka theksuar MPB-ja.

Në fund, ministria njofton se të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi nga nesër prej orës 08:00.